Ballina Rajoni “Nëse të kafshon, ta këput gishtin”/ Alarm në Greqi, shqetësim në BE...

“Nëse të kafshon, ta këput gishtin”/ Alarm në Greqi, shqetësim në BE për peshkun balonë

77
0

“Nëse të kafshon një nga këta, ta këput gishtin fare,” thotë peshkatari Alexis Charlambakis, nga varka e tij e ankoruar në portin e Ierapetrës në Kretën jugore, ndërsa hap gojën e një peshku balonë të sapokapur.

Me dhëmbë shumë të fuqishëm dhe një oreks të pangopur, kjo specie ka shkatërruar rrjetat e tij dhe po dëmton rëndë rezervat e peshkut, ndërsa ngrohja e deteve ka favorizuar përhapjen e saj në Mesdheun Lindor.

“E hëngri peshkun dhe preu litarin. Shikoni dëmin, pajisjet tona të peshkimit janë bërë të pavlefshme”, shprehet Alexis Charlambakis, peshkatar.

Peshku balonë, një specie invazive që preferon ujërat e ngrohta, u shfaq për herë të parë në ujërat greke rreth 20 vite më parë dhe sot po godet rëndë industrinë e peshkimit, një nga shtyllat e eksporteve të Greqisë. Por në brigjet e Kretës, peshkatarët po shohin se kapjet e tyre po pakësohen për shkak të tij. Nga afro 200 specie të së njëjtës familje  që jetojnë në ujërat e ngrohta në botë, tre prej tyre gjenden tashmë në Mesdheun Lindor.

Përveç toksinës së fuqishme që e bën të rrezikshëm për konsum, ky peshk ka një gojë në formë sqepi aq të fortë sa mund të kafshojë dru dhe metal duke shkatërruar kapjet ditore të peshkatarëve dhe duke grisur edhe rrjetat.

“Shteti nuk ka bërë sa duhet për të na ndihmuar të përballemi me këta peshq, por duhet ta bëjë”, thotë Kostis Zevelekakis, peshkatar.

“Tetrodotoksina, që gjendet në organet e peshkut balonë, është një helm jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse gëlltitet. Ajo shkakton arrest kardiak dhe ndalim të funksionimit të mushkërive”, tha Thekla Anastasiou, biologe detare në Qendrën Helenike për Kërkime Detare.

Sipas specialistëve  dëmet ekonomike arrijnë në rreth 8.500 euro në vit për çdo barkë  peshkimi,ndaj dhe peshkatarët kërkojnë që shteti t’i subvencionojë për kapjen dhe eliminimin e tij , një program që tashmë zbatohet në Qipro.