Ballina Politika Këlliçi: ‘Banditët digjitalë’ dhe ministri Hoxha terrorizojnë qytetarët dhe administratën para protestës

Këlliçi: ‘Banditët digjitalë’ dhe ministri Hoxha terrorizojnë qytetarët dhe administratën para protestës

88
0

Deputetei Belind Këlliçi gjatë një interviste në Syri tv, ka denoncuar një rast flagrant që përfshin një biznesmene, e cila është kërcënuar indirekt me mesazhe të formës “ne e dimë ku banon dhe çfarë biznesi ke”, vetëm për shkak të komenteve kritike të bëra në platforma si Instagram ndaj kryeministrit.

Ky lloj presioni sipas Këlliçit, ngre pikëpyetje të forta mbi terrorin psikologjik që po ushtrohet aktualisht në të gjitha nivelet e administratës publike, bashkive dhe agjencive shtetërore. Megjithatë, kjo fushatë frikësimi duket se po gjeneron një efekt të kundërt bumerang. Në vend që të shuhet, revolta qytetare po rritet, duke kulmuar me thirrjen për një protestë të madhe kombëtare ditën e nesërme, më datë 20.

“Kulmin e ka arritur në fakt në këtë nivel Ferit Hoxha. I cili, bazuar në të dhënat që na vijnë nga Ministria e Jashtme, nga punonjësit e asaj ministrie, personalisht ai ka kërcënuar ekipin e Ministrisë së Jashtme, duke i thënë që “kam porosi nga i madhi, që nëse ju, rrethi juaj familjar, motër, vëlla, prindër, të afërm, kushërinj të parë e të tjerë, e të tjerë, apo fëmijët tuaj dalin në protestë, më mirë mos hajdeni fare të nesërmen në punë sepse jeni të shkarkuar”. Dhe që të arrijë Ministria e Jashtme të kthehet në një celulë partie, të kthehet në një organizatë të Partisë Socialiste, këtë nuk e kishte bërë as edhe një ministër më përpara. Kemi pasur ne kritika shumë për ministrat e mëparshëm të jashtëm, kemi pasur kritika për ministra të tjerë, por që të arrinte një ministër i jashtëm në këtë nivel, kjo ishte e padëgjuar. Dhe kur kjo ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme, imagjinoni ç’ndodh në institucionet e tjera, ç’ndodh nëpër bashki, në institucione shtetërore, në ministri të tjera, në agjenci shtetërore, në drejtori të tjera. Pra, është një presion dhe një terror që i ushtrohet të gjithë atyre që janë në administratë publike për të mos marrë pjesë në protestë dhe për t’u larguar nga kjo protestë. Në fakt po bëjnë të kundërtën. Po prodhojnë një efekt bumerang sepse ajo protestë, jo që nuk shuhet, por vjen shtohet. Janë më të vendosur qytetarët dhe kanë njoftuar, në mos gaboj dhe në datë 20, pra ditën e nesërme, një protestë kombëtare, po dhe me pjesëmarrjen e diasporës, ku ka shumë të dhëna publike që qytetarë të ndryshëm, shqiptarë të ndryshëm kryesisht nga Anglia, Italia, Greqia, Gjermania, janë nisur drejt Shqipërisë për të protestuar.”-tha Këlliçi.