Ballina Bota Tre alpinistë humbin jetën nga i nxehti ekstrem në Kanionin e Madh

Tre alpinistë humbin jetën nga i nxehti ekstrem në Kanionin e Madh

53
0

Tre alpinistë kanë humbur jetën këtë javë në Parkun Kombëtar të Grand Canyon në shtetin amerikan të Arizonës, pasi u goditën nga temperaturat e larta gjatë ecjeve në shtigjet malore. Sipas autoriteteve amerikane, viktimat janë një burrë 72-vjeçar, një burrë 67-vjeçar dhe një grua 68-vjeçare, të cilët u sëmurën gjatë ngjitjeve në shtigjet South Kaibab dhe North Kaibab. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të shpëtimit, të tre ndërruan jetë para se të merrnin ndihmën e nevojshme.

Temperaturat brenda Grand Canyon mund të kalojnë 43 gradë Celsius, madje edhe në zonat me hije, duke e bërë ecjen veçanërisht të rrezikshme gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Shërbimi Kombëtar i Parqeve të SHBA-së ka bërë thirrje për kujdes maksimal, duke u rekomanduar vizitorëve të shmangin ecjet nga ora 10:00 deri në 16:00, kur temperaturat arrijnë kulmin dhe rreziku për goditje nga nxehtësia rritet ndjeshëm.

Autoritetet kanë bërë të ditur se trupat e tre alpinistëve janë dërguar në Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Coconino, ndërsa ka nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së tyre. Rastet e fundit vijnë në një periudhë kur zyrtarët e parkut kanë raportuar një shtim të incidenteve të lidhura me temperaturat ekstreme, duke rikujtuar rrezikun që paraqet ekspozimi i zgjatur ndaj vapës në një nga destinacionet më të vizituara natyrore në Shtetet e Bashkuara.