Ballina Kronika DURRES/ Identifikohen dhe vihen në pranga dy shtetas, sekuestrohen dy armë zjarri

DURRES/ Identifikohen dhe vihen në pranga dy shtetas, sekuestrohen dy armë zjarri

196
0

Në vijim të punës së pandërprerë për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë nën kërcënimin e armës, strukturat hetimore të DVP Durrës kanë bërë të mundur që, brenda 24 orëve të fundit, të finalizojnë dy operacione policore për zbardhjen e këtyre vjedhjeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.

1-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Marvin Ferra, 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.

Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri.

2-Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Rezi Kruta, 51 vjeç, banues në Tiranë.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.

Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës.

Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.

Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.