Qeveria greke po përgatit masa të reja të rrepta për përdorimin e internetit nga të miturit, ndërsa numri i përjashtimeve të nxënësve nga shkollat për përdorimin e telefonave celularë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave zyrtare, përjashtimet e nxënësve për përdorimin e telefonave celularë në shkolla kanë arritur në 25,000, krahasuar me 14,806 raste në periudhën e mëparshme, duke reflektuar shqetësimin në rritje të autoriteteve për ndikimin e teknologjisë tek të rinjtë.
Në këtë kuadër, qeveria po promovon një projektligj që synon ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Autoritetet synojnë që masa të zbatohet plotësisht deri më 1 janar 2027.
Për verifikimin e moshës së përdoruesve do të përdoret sistemi “Kid’s Wallet”, i cili do të shërbejë si mekanizëm kombëtar për identifikimin dhe kontrollin e moshës. Platformave online do t’u kërkohet të verifikojnë identitetin e përdoruesve përpara se t’u lejojnë qasjen në rrjetet sociale.
Ndërkohë, për adoleshentët e moshës 15 deri në 18 vjeç do të vendosen masa shtesë mbrojtëse. Këto përfshijnë kufizimin e reklamave të personalizuara, si dhe vendosjen e kufijve për kohën e përdorimit të platformave digjitale.
Ndër adoleshentët e moshës 14-17 vjeç, përqindja e atyre që janë të varur nga telefonat është duke iu afruar 80% të popullsisë.
Greqia i bashkohet kështu një numri gjithnjë e më të madh shtetesh që po miratojnë politika më të ashpra për të kufizuar aksesin e të miturve në internet, në përpjekje për të luftuar fenomenin e varësisë nga rrjetet sociale dhe përdorimin e tepruar të teknologjisë.







