Në mes të tensioneve të ditëve të fundit, ku protesta, diaspora dhe reagimet publike janë kthyer në temën më të nxehtë të debatit, Einxhel Shkira ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që janë bërë pjesë e zhvillimeve në Tiranë.
Përplasja nisi pas një postimi të Ramës, ku ai shkruante se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk mund të quhen “diasporë” e Shqipërisë, duke theksuar se ata kanë shtetet e tyre dhe nuk janë mërgimtarë në vende të huaja. Sipas tij, kur shqiptarë nga Prishtina e Tetova paraqiten në Tiranë si “diasporë”, ata bëhen pjesë e një loje politike që nxit përçarje.
Ky qëndrim ka sjellë reagimin e Einxhel Shkirës, e cila e ka cilësuar hipokrizi ndarjen e shqiptarëve në këtë mënyrë, sidomos kur sipas saj, suksesi i tyre përtej kufijve është përdorur shpesh për krenari kombëtare.
“Çfarë hipokrizie t’u thuash bashkëkombasve të tu se nuk përkasin në Shqipëri, sepse ky shtet na qenka i joti dhe ata përkasin diku tjetër”, shkruan Einxhel në reagimin e saj.
Ajo vijon më tej duke kujtuar se shqiptarët kudo ku janë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut apo Mal të Zi, janë pjesë e së njëjtës histori dhe identiteti kombëtar.
“Kur dikush prej tyre ka arritje ndërkombëtare, vrapon i pari t’i marrësh një copëz nga suksesi, duke u krenuar me shqiptarët e tu. Ndërsa sot, që kanë ardhur në një tokë që i takon sa ty dhe atyre, na qenkan të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi”, shkruan ajo.
Reagimi i saj u ashpërsua edhe më shumë në një tjetër story, ku Einxhel e akuzoi Ramën se po përdor bullizimin dhe intimidimin ndaj figurave publike si mënyrë për të zbehur zërat kritikë.
“Gjithçka po bën s’të ka hije, si burrë shteti që ke marrë 800 mijë vota, po përpëlitesh aq rëndë sa edhe pak mbase do i dhimbesh njerëzve”, shkruan ajo.
Më tej, Einxhel shton se kjo strategji nuk do të funksionojë, pasi sipas saj, njerëzit publikë janë mësuar tashmë me sulme, etiketime dhe ofendime.
“Strategjia e intimidimit nëpërmjet bullizimit e ofendimit të influencers nuk do të funksionojë”, shkruan ajo, duke shtuar se “jemi totalisht imun ndaj çdo lloj forme bullizimi”.
Reagimi i Einxhel vjen në një moment kur protesta ka marrë një dimension më të gjerë publik, jo vetëm për shkak të qytetarëve në shesh, por edhe për shkak të përfshirjes së diasporës, shqiptarëve nga trojet dhe figurave të njohura që po marrin qëndrim hapur.
Në thelb, përplasja nuk është më vetëm politike. Është kthyer në një debat për identitetin, për të drejtën e shqiptarëve për të reaguar ndaj asaj që ndodh në Shqipëri dhe për mënyrën se si pushteti i trajton zërat që nuk i kontrollon dot.
Dhe Einxhel e mbyll reagimin me një mesazh të qartë ndaj kryeministrit: nëse intimidimi ishte karta e fundit, ajo sipas saj nuk funksionon më.







