Tenderi për elektrifikimin e linjës hekurudhore Tiranë – Durrës – Rinas është finalizuar, me shpalljen e kompanisë që do të kryejë punimet.
Konfirmimi vjen nga kreu i Hekurudha Shqiptare Ergys Verdho, i cili tha për TV SCAN se kontrata me kompaninë italiane pritet të nënshkruhet në muajin korrik, ndërsa punimet nisin në shtator.
Oferta e shpallur fituese ka një vlerë prej 22 mln euro, ndërsa përveç linjës Tiranë – Durrës – Rinas do të përfshijë edhe elektrifikimin e 4 km që do të ndërtohen për të rikthyer stacionin e trenit në kryeqytet.
Tenderi për elektrifikimin e kësaj linje hekurudhore u hap nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në muajin shtator të vitit të kaluar, teksa autoritet kontraktor është Hekurudha Shqiptare.
Elektrifikimi është një nga hallkat e fundit për finalizimin dhe vënien në operim tw linjws, teksa aktualisht kanë përfunduar punimet civile dhe po punohet për ndërtimin e godinave të stacioneve.
Paralelisht është duke u zhvilluar procedura tenderuese për ndërtimin e stacionit të Rinasit, që nuk është pjesë e kontratës fillestare, si dhe tenderi për ndërtimin e segmentit, që do të mundësojë lidhjen nga terminali i autobusëve në Kashar, me stacionin e dikurshëm të trenit në kryeqytet.







