Ballina Ekonomia Gjobat në peshkim, deri në 5 milionë lekë për anijet e huaja...

Gjobat në peshkim, deri në 5 milionë lekë për anijet e huaja dhe 3 milionë lekë për dëmtimin e ekosistemeve ujore

86
0

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka miratuar metodologjinë e re për përcaktimin e masave administrative në sektorin e peshkimit, duke vendosur për herë të parë kritere të detajuara dhe të unifikuara për llogaritjen e gjobave ndaj shkelësve të ligjit “Për peshkimin”.

Udhëzimi i firmosur nga ministri Andis Salla synon të krijojë një sistem më transparent dhe të barabartë për ndëshkimin e kundërvajtjeve, duke shmangur interpretimet subjektive dhe duke harmonizuar praktikën e inspektorëve në të gjithë vendin.

Sipas dokumentit, masa administrative do të përcaktohet në bazë të natyrës dhe rëndësisë së shkeljes, dëmit ekonomik dhe mjedisor të shkaktuar, sasisë së produkteve të peshkimit të përfshira në shkelje, përsëritjes së saj, si dhe nivelit të bashkëpunimit të subjektit gjatë kontrollit. Gjithashtu, rëndësi të veçantë do të kenë rastet kur shkeljet kryhen në zona të mbrojtura ose prekin specie të mbrojtura.

Një nga shkeljet më të rënda mbetet aktiviteti i peshkimit nga anije të huaja në ujërat shqiptare. Për anijet me fuqi motorike mbi 500 kilovat, gjoba arrin deri në 5 milionë lekë, ndërsa për anijet më të vogla nis nga 3 milionë lekë. Edhe peshkimi në zonën ekskluzive ekonomike të Shqipërisë pa leje do të ndëshkohet me gjoba deri në 600 mijë lekë.

Ndëshkime të forta parashikohen edhe për dëmtimin e mjedisit në zonat e mbrojtura ujore. Për rastet kur shkelja shkakton dëmtim të rëndë ose të pakthyeshëm të habitatit, ndotje masive apo shkatërrim të ekosistemit, gjoba arrin në 1.5 milionë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje shkon deri në 2 milionë lekë.

Po ashtu, ndërtimi i strukturave në kundërshtim me legjislacionin në zonat e mbrojtura ujore do të penalizohet deri në 3 milionë lekë kur ndërhyrjet shkaktojnë dëmtime serioze të ekosistemit ose ndryshojnë karakteristikat natyrore të zonës.

Një tjetër kategori e rëndësishme lidhet me përdorimin e mjeteve të ndaluara për peshkim. Përdorimi i eksplozivëve, substancave toksike, narkotike, pajisjeve elektrike apo mjeteve të tjera të ndaluara do të ndëshkohet me gjobë prej 2.5 milionë lekësh. Ndërsa përdorimi i mjeteve për mbledhjen e koraleve të kuqe dhe organizmave të ngjashëm do të gjobitet me 1.5 milionë lekë.

Dokumenti vendos edhe një listë të detajuar gjobash për kapjen e specieve të mbrojtura. Kapja e blinjve, peshkaqenëve, rajave, koraleve, gjitarëve detarë, breshkave të detit apo sfungjerëve mund të sjellë gjoba deri në 1 milion lekë. Për troftën e mbrojtur gjoba është 300 mijë lekë, ndërsa për zogjtë detarë dhe breshkat e ujërave të ëmbla 500 mijë lekë.

Në fokus të metodologjisë janë edhe shkeljet që lidhen me peshqit e paarrirë. Nëse peshqit e paarrirë përbëjnë mbi 40% të totalit të zënieve, subjekti rrezikon një gjobë prej 1 milion lekësh. Për nivele më të ulëta të shkeljes, gjobat variojnë nga 100 mijë deri në 700 mijë lekë.

Peshkimi gjatë periudhave të ndalimit biologjik do të ndëshkohet me gjoba nga 200 mijë deri në 1 milion lekë, në varësi të sasisë së peshkut të kapur. Edhe tregtimi i peshkut të kapur në kundërshtim me këto ndalime do të penalizohet me gjoba deri në 500 mijë lekë.

Përveç shkeljeve të rënda, metodologjia parashikon edhe masa për mosrespektimin e detyrimeve administrative. Mosdeklarimi i zënieve të peshkimit do të gjobitet nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë, ndërsa mosinstalimi i sistemeve të monitorimit në anije do të penalizohet me deri në 100 mijë lekë. Gjoba deri në 100 mijë lekë parashikohen edhe për mungesën e certifikatës së origjinës së produkteve. /ekofin.al