Ballina Aktualitet Parkime me pagesë në Durrës, qytetarët: Shumë shtrenjtë, shkon 10 mijë lek...

Parkime me pagesë në Durrës, qytetarët: Shumë shtrenjtë, shkon 10 mijë lek në muaj vetëm për parkim

191
0

Vijat blu të shfaqura ditët e fundit në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit po sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm. Një pjesë e madhe e hapësirave ku deri më sot parkimi ishte falas, së shpejti do të tarifohen. Bëhet fjalë për një vendim të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit dy vite më parë, i cili megjithëse kishte mbetur i pazbatuar për një periudhë të gjatë, duket se tashmë po hyn në fazën finale.

Sinjalizimi horizontal me ngjyrë blu është hapi i parë i dukshëm i projektit që synon menaxhimin e parkimit në zonat më të frekuentuara të qytetit. Sipas skemës së miratuar nga bashkia, qyteti ndahet në dy zona tarifimi.

Zona A përfshin qendrën dhe rrugët me aktivitet të lartë tregtar, ndërsa Zona B përfshin akse me periferike. Në Zonën A, ku përfshihen rrugë si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, tarifa do të jetë 100 lekë/ orë. Në Zonën B, ku përfshihen rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, tarifa do të jetë 40 lekë/orë.

Parkimi me pagesë do të aplikohet nga e hëna në të premte. Gjatë sezonit turistik, nga 1 qershori deri më 30 shtator, tarifimi do të jetë aktiv nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa pjesën tjetër të vitit deri në orën 18:00.

Përveç rrugëve, me pagesë do të jenë edhe gjashtë sheshe publike, mes tyre hapësira pranë Porto Finos, poshtë Urës së Dajlanit, pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Tarifat në këto sheshe do të variojnë nga 100 lekë për dy orët e para deri në 500 lekë për qëndrimin 24-orë. Bashkia ka parashikuar përjashtim nga pagesa për banorët rezidentë të zonave ku do të zbatohet skema, por procedurat ende nuk janë bërë publike.