Listës së figurave të vjetra të Partisë Socialiste që kanë reaguar gjatë ditëve të fundit për zhvillimet politike në vend i është shtuar edhe ish-deputeti Petro Koçi.
Përmes një reagimi publik, Koçi ka komentuar debatin e krijuar pas publikimit të një liste me pagesa për ish-kontribuues të UÇK-së, duke e cilësuar këtë veprim si një gabim.
“Publikimi i faturës me disa pagesa për ish-kontribues të UÇK-së ishte një gabim i panevojshëm”, shprehet ai.
Koçi sqaron se aktivisti Dritan Goxhaj nuk ka qenë komandant në strukturat e UÇK-së, por njëkohësisht mbron figurën e Tahir Sinanit, të cilin e cilëson “nder dhe lavdi jo vetëm të UÇK-së dhe Kosovës, por të gjithë kombit shqiptar”.
Ish-deputeti socialist kujton gjithashtu rolin e Partisë Socialiste gjatë luftës në Kosovë, duke deklaruar se PS mbetet forca politike që ka qenë partnerja e vërtetë e UÇK-së në Shqipëri, ndërsa akuzon Partinë Demokratike se gjatë luftës ka mbajtur qëndrim kundër LPK-së dhe UÇK-së.
Në reagimin e tij, Koçi kujton se edhe kryeministri Edi Rama ishte pjesë e Qeverisë së Luftës në atë periudhë.
Por pika më domethënëse e deklaratës së ish-deputetit lidhet me protestën qytetare. Ndryshe nga retorika zyrtare e qeverisë, Petro Koçi kërkon reflektim institucional dhe ndryshime konkrete.
“Qeveria duhet të reflektojë ndaj protestës me reforma kushtetuese për të çliruar Republikën nga disa deformime që dobësuan karakterin parlamentar të saj dhe disbalancuan raportin mes institucioneve të shtetit në favor të dominimit të ekzekutivit”, deklaron ai.







