Në komisionin parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, shqetësimi kryesor për Kontrollin e Lartë të Shtetit duket se nuk janë miliardat e lekëve të konstatuara si dëm ekonomik dhe efekte negative financiare në institucionet shtetërore, por pagat e audituesve dhe kërkesa për dhjetë punonjës shtesë.
Gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2027, deputeti socialist Ermal Elezi vuri në pikëpyetje kërkesën e KLSH-së për shtimin e personelit, duke argumentuar se pagat në këtë institucion janë rritur me rreth 90% gjatë periudhës 2021–2025, pa u shoqëruar me tregues që provojnë përmirësim të ngjashëm të cilësisë së auditimeve.
Por në këtë debat mungoi një shifër që duhej të ishte në qendër të vëmendjes së deputetëve.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar 26.2 miliardë lekë dëm ekonomik dhe efekte negative financiare në buxhetin e shtetit, ose rreth 262 milionë euro.
Kjo shifër është bërë publike nga vetë kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit në Kuvend më 15 qershor 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë atij viti janë realizuar 190 auditime në 271 subjekte dhe janë dhënë 4,994 rekomandime, përfshirë 281 masa për shpërblim dëmi, 441 masa për adresimin e parregullsive me efekt negativ financiar dhe 975 masa disiplinore e administrative.
Pra, nuk bëhet fjalë për një institucion që nuk ka prodhuar rezultate. Përkundrazi, raportet e tij dokumentojnë probleme serioze në administrimin e parave dhe pasurive publike.
Natyrisht, jo e gjithë shuma prej 26.2 miliardë lekësh përfaqëson dëm ekonomik të drejtpërdrejtë. Ajo përfshin edhe efekte negative financiare të konstatuara nga auditimet. Por kjo nuk e zvogëlon rëndësinë e gjetjeve.
Në vend që komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj të kërkojë llogari nga ministritë, bashkitë dhe institucionet që kanë administruar fondet publike në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe standardet financiare, debati u përqendrua te kostoja e vetë institucionit që i kontrollon ato.
KLSH ka kërkuar një buxhet prej 894.4 milionë lekësh për vitin 2027, ndërsa tavani i përcaktuar është 735.5 milionë lekë. Institucioni ka kërkuar gjithashtu shtimin e organikës nga 243 në 253 punonjës, duke argumentuar nevojën për më shumë auditime, veçanërisht në teknologjinë e informacionit, sigurinë kibernetike, koncesionet dhe partneritetet publike-private.
Pyetjet për shpenzimet, pagat dhe vendet vakante janë legjitime. Çdo institucion publik duhet të japë llogari për fondet që kërkon. Por mbikëqyrja parlamentare nuk mund të jetë selektive.
Sepse pyetja që Fatmir Xhafaj duhet t’i bëjë qeverisë është shumë më e rëndësishme: çfarë ka ndodhur me miliardat e lekëve të konstatuara nga KLSH dhe sa prej tyre janë rikuperuar?
Sa drejtues institucionesh janë mbajtur përgjegjës? Sa rekomandime janë zbatuar realisht? Sa raste janë referuar për ndjekje penale dhe çfarë ka ndodhur me to?
Komisioni “Xhafaj” është krijuar për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare dhe llogaridhënien e institucioneve. Por mbikëqyrja nuk matet me numrin e drejtuesve të institucioneve të pavarura që thirren për të raportuar. Ajo matet edhe me aftësinë e Kuvendit për të kërkuar përgjegjësi nga ekzekutivi për shkeljet që dokumentohen në raportet e këtyre institucioneve.
Përndryshe krijohet një paradoks: institucioni që zbulon abuzimet me paratë publike duhet të justifikojë çdo lek të buxhetit të vet, ndërsa institucionet ku janë konstatuar abuzimet vazhdojnë të shpenzojnë miliarda nga buxheti i shtetit.
Në fund, problemi nuk është se sa kushton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Problemi është se sa po i kushton qytetarëve keqadministrimi që ai zbulon dhe sa pak përgjegjësi kërkon politika për të.







