Ballina Opinion Njeriu që po dënon të sëmurët me vdekje

Njeriu që po dënon të sëmurët me vdekje

52
0

Nga Klodian Tomorri 

Në teorinë e administratës publike, centralizimi i blerjeve shtetërore për shëndetësinë ka një logjikë efiçence nga pas. Konsolidimi i kërkesës ul kostot, standardizon cilësinë dhe teorikisht e bën më të kontrollueshëm korrupsionin.

Por ky model ka një risk madhor. Kur organi i centralizuar kompromentohet, ai shndërrohet në një makineri ekzekutimi në masë.

Prej javësh, spitalet shtetërore po vuajnë mungesën e ageve për biopsi—një mjet bazik, por vendimtar për diagnostikimin në kohë të sëmundjeve malinje. Skandali u denoncua fillimisht nga gazetari Osman Stafa dhe u konfirmua nga shumë pacientë, të cilët përplasen të dëshpëruar dyerve të spitaleve publike.

Për një pacient që pret të mësojë nëse ka tumor, koha nuk është një variabël administrativ, por çështje mbijetese. Megjithatë, prapaskenat e furnizimit spitalor tregojnë se këto mungesa nuk janë pasojë e ndonjë krize globale zinxhirësh, as mungese fondesh, por janë produkt i drejtpërdrejtë i një odiseje shtatëmujore tenderash të dështuar.

Kronologjia e prokurimit për materialet e konsumit mjekësor për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, lexohet si një studim rasti mbi disfunksionin institucional. Gjithçka nisi më prill, kur QSUT i përcolli OBP-së nevojat e saj vjetore, të ndara në dy lote: materiale mjekimi të përgjithshme (Loti 1) dhe materiale kirurgjikale (Loti 2). Pas një ping-pongu shkresash për rishikim çmimesh dhe specifikimesh sipas katalogëve të miratuar, spitali e ridërgoi dosjen më 22 maj. OBP-ja e hapi garën vetëm më 12 qershor.

Ndërsa Loti 1 arriti të mbyllej me një fitues, Loti 2—ai që mbulon sallat e operacionit dhe diagnostikimin—hyri në një rreth vicioz anulimesh. Procedura u rrëzua fillimisht me vendim të Komisionit të Prokurimit Publik, u rishpall nga OBP më 24 gusht, u anulua sërish për t’u rihapur më 28 gusht, e më pas dështoi për të tretën herë. Më 6 nëntor, institucioni i drejtuar nga Jonaid Myzyri e rishpalli tenderin për herë të katërt, duke ndryshuar sërish ndarjen në lote dhe kriteret e kualifikimit.

Ky hezitim i vazhdueshëm dhe rishkrimi i përsëritur i rregullave të lojës ngre pikëpyetje serioze mbi aftësinë teknike dhe qëllimet e prokurimeve të përqendruara. Kur kriteret ndryshojnë nga një muaj në tjetrin dhe tenderat anulohen në seri, tregu ngrin, furnitorët tërhiqen dhe raftet e spitaleve zbrazen.

Për të kuptuar peshën e kësaj paaftësie, duhet parë kuadri ligjor që e bën situatën kafkiane. Sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, OBP-ja ka monopolin absolut për kryerjen e këtyre procedurave. Spitalet publike janë zhveshur nga çdo kompetencë për të prokuruar vetë.

Në prill dhe maj, drejtuesit e QSUT-së paralajmëruan vazhdimisht mbi afatet procedurale dhe u detyruan të përdorin procedura emergjente negocimi 90-ditore thjesht për të mbajtur shërbimet gjallë. Por zgjidhjet e përkohshme nuk mund të kompensojnë dështimin kronik të një sistemi që është projektuar për të funksionuar në rregull.

Ironia e këtij centralizimi është e qartë: pushteti për të blerë është përqendruar në një dorë të vetme, por përgjegjësia për mungesat u lihet në derë mjekëve dhe drejtorëve të spitaleve, të cilët kanë duart e lidhura nga ligji.

Në ekonominë e shëndetësisë, kostot e vonesave burokratike nuk maten me gjoba financiare apo me raporte auditimi. Ato maten me diagnoza të vonuara, ndërhyrje të shtyra dhe jetë të rrezikuara.

Derisa qeveria të kuptojë se një monopol shtetëror joefikas është po aq i rrezikshëm sa një monopol privat abuziv, pacientët shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë faturën e një sistemi ku tenderat rishpallen pafundësisht, ndërsa koha e tyre po mbaron.

Ose, e gjitha kjo është një lojë e ndyre e koordinuar. Për të krijuar alibinë, që OBP nuk ka kapacitetet për të furnizuar në kohë spitalet e vendit me qëllim që monopoli i blerjeve të lëvizë në një dorë tjetër. Kjo është dora, që sponsorizoi projektligjin kriminal të privatizimit të tenderave të shëndetësisë, i cili shumë shpejt pritet të ridalë sërish në skenë.

Në çdo rast ky është një krim dhe krimi ka autor. Një i padenjë që po dënon të sëmurët me vdekje.