Ballina Ekonomia Paketa e re fiskale/ Çoçoli: Beteja e vërtetë do të jetë nëse...

Paketa e re fiskale/ Çoçoli: Beteja e vërtetë do të jetë nëse ulja e çmimeve do të reflektohet në treg

50
0

Gazetari dhe eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli e ka cilësuar paketën e re fiskale si një nga paketat më të orientuara drejt anës sociale, duke vlerësuar veçanërisht uljen e taksave të konsumit dhe masat që synojnë rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve.

I ftuar në një emision televiziv, Çoçoli u shpreh se për herë të parë në 35 vite po ndërmerret një ulje prej 3 eurosh e një takse konsumi, e cila rëndon veçanërisht mbi qytetarët me të ardhura të ulëta.

overlay-cleverSipas tij, paketa synon të ndikojë edhe në çmimet e produkteve ushqimore bazë, ku janë përfshirë 54 kategori. Megjithatë, ai theksoi se sfida kryesore do të jetë garantimi që uljet e parashikuara të reflektohen realisht në treg dhe të mos mbeten vetëm në letër.

Çoçoli paralajmëroi se kjo do të jetë një betejë që nis që në ditën e parë të vitit të ardhshëm, duke sjellë në vëmendje faktin se në Shqipëri, kur çmimet ulen në tregjet ndërkombëtare, kjo ulje jo gjithmonë reflektohet në tregun vendas.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është ulja e çmimit të karburanteve në pompë, që pritet të jetë rreth 14-15%. Ai shpjegoi se karburanti ka një efekt zinxhir në ekonomi, pasi është pjesë e kostove të pothuajse çdo aktiviteti ekonomik dhe ulja e çmimit të tij mund të ndikojë edhe në shpenzimet e tjera.

Gazetari u shpreh se shpreson që të paktën të realizohet një ulje prej 10% e çmimeve, në mënyrë që përfitimi të ndihet drejtpërdrejt nga familjet shqiptare dhe të kontribuojë në rritjen e fuqisë së tyre blerëse, e jo të përfundojë në xhepat e tregtarëve.

Fatos Çoçoli:

“Këtë e shoh si paketën fiskale më të hapur për anën sociale. Është hera e parë në këto 35 vite që kemi një ulje me 3 euro të një takse konsumi, që e paguajnë sidomos edhe ata me të ardhura të ulëta. Në këtë kuptim them se është gjë e mirë që më në fund pati një kthesë të tillë, që buxheti sheh anën sociale, por edhe duke u përpjekur të ndihmojë në fuqinë blerëse dhe të kemi ulje të ushqimeve kryesore.

Janë 54 kategori, por besoj do të jenë gjërat kryesore ushqimore me radhë. Janë gjëra që prekin familjet tona çdo ditë. Ka njerëz që nuk i kanë problem çmimet e larta, por shumica e kanë problem real dhe besoj se do të jetë një betejë nga dita e parë e vitit tjetër për të provuar që këto çmime të mos qëndrojnë pa u ulur. Të mos qëndrojnë siç veprohet tek ne, kur ka ulje në tregjet ndërkombëtare, këtu nuk ka ulje.

Po ashtu, çmimi i karburantit do të jetë diku te 14-15% më pak në pompë. Ne ekonomistët e dimë se zakonisht karburantet, duke qenë se zënë shpenzim në çdo aktivitet, kanë një efekt kaskadë, qoftë kur ngrihen, qoftë kur ulen.

Shpresojmë se kjo ulje në pompë, pavarësisht se do të shtrenjtohet diçka tjetër, vetë Ministria e Ekonomisë ka thënë se paketa synon të jetë asnjanëse. Do të jetë betejë, gjykoj, që të ulen realisht çmimet. Shpresojmë që të paktën 10% të ketë një ulje dhe këto para të jenë në dobi të rritjes së fuqisë sonë blerëse dhe jo thjesht të shkojnë në xhepat e tregtarëve.”