Ballina Opinion “Partia e re” ka votues, por jo udhëheqës…

“Partia e re” ka votues, por jo udhëheqës…

94
0

Nga Eduard Zaloshnja

Në sondazhet e mija të përjavshme për ‘Zërin e Shqiptarëve’, konstatova qysh në fillim se votuesit e vjetshëm në Shqipëri po zhgënjeheshin nga partitë për të cilat votuan. Dhe duke filluar nga 30 nëntori, ndër përgjigjet për pyetjen “Për cilën parti do të votonin, po të zhvilloheshin sot zgjedhjet?”, shtova opsionin “Një parti të re, nëse krijohet”.

Përmes këtij opsioni, mund të veçoheshin ata që ishin zhgënjyer nga partitë ekzistuese, por që ishin gati të votonin për një parti të re. Ndërsa ata që nuk do të votonin fare, çfarëdo partie të krijohej, nuk përbënin interes studimi statistikor.

Më 30 nëntor, kur e shtova për herë të parë në sondazh opsionin e sipërcituar, 22.5% e të anketuarve që kishin votuar vjet në Shqipëri ishin gati të votonin për një parti të re, nëse krijohej (shihni grafikun e mëposhtëm, ku janë përfshirë datat më domethënëse statistikisht).

Më 12 janar, kuota e “partisë së re” u ngjit në 25.6%, dhe pastaj zbriti në 20% më 26 janar (kuota më e ulët në grafik). Më pas, kuotat e “partisë së re” ndoqën një trajektore ngjitëse që kulmoi me 35.1% më 11 maj. Por meqë një parti e re nuk po dukej në horizont, e hoqa opsionin për të në sondazh.

Me fillimin e protestave më 31 maj, duket se ka gjasa të krijohet një parti e re, por do ta shtoj atë në sondazh kur të krijohet (nëse krijohet). Atëherë opsioni nuk do të jetë më hipotetik – do të jetë një opsion konkret për një parti konkrete.

Sidoqoftë, nga 31 maji deri më sot, “partia e re” ka mbetur hipotetike. Në ditët e para dukej se aktivistët e partisë së Qorit ishin strumbullari organizues i protestës, por me shtimin e numrit të protestuesve dhe me ndryshimin e fokusit të saj (nga flamingot e Zvërnecit, te turlilloj temash të tjera), Qori & co. duken se kanë mbetëur thjesht pjesë e një amalgame të gjerë organizuesish dhe financuesish të protestës.

Para ca ditësh, në emër të grupit kordinues të protestës (pjestarët e të cilit nuk janë shpallur publikisht), Dritan Goxhaj lexoi një listë kërkesash, që të krijonte idenë e një programi konciz politik të asaj partisë së re që po pritet. Por pasi qarkulluan video ku Goxhaj kishte deklaruar publikisht se rotacioni politik zgjidhet me “plumbin e Avni Rustemit”, si dhe disa shkrime përkrahëse për Hezbollahun dhe Republikën Islamike të Iranit, leximin e listës me kërkesat e grupit kordinues e ka lexuar çdo ditë dikush tjetër. Goxhaj nuk është parë më afër mikrofonit të protestës.

Në fakt kërkesat që lexohen tani përnatë, ngjasojnë shumë me idetë që Qori i ka bërë publike me kohë. Po siç duket ai nuk do të dalë në krye të partisë së re, ngaqë është stigmatizuar gjerësisht si neomarksist. Për më tepër ai e provoi të garonte në zgjedhje në krye të një partie, dhe mori vetëm 1.5% të votave gjithsej (brenda e jashtë vendit).

Nejse, kur të krijohet partia e re (nëse krijohet), me udhëheqës dhe grup drejtues të shpallur publikisht, unë me kërshëri do ta shtoj atë në sondazhet e mia. Dhe atëherë, do të shohim se sa vota konkretisht mund të marrë ajo…