Qeveria propozon ndryshime në ligjin për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare, me synimin për të vendosur rregulla më të qarta për afatet e pagesave mes bizneseve dhe në marrëdhëniet e tyre me institucionet publike.
Ndryshimi kryesor parashikon se kreditori, pra pala që ka kryer shërbimin, ka dorëzuar mallin apo ka përmbushur detyrimet kontraktore, do të ketë të drejtë të marrë kamatëvonesë automatikisht nëse nuk paguhet në kohë. Sipas dispozitës ligjore, nuk do të jetë më e nevojshme që kreditori të dërgojë më parë një njoftim, kujtesë apo kërkesë formale për pagesë.
Në marrëdhëniet tregtare ndërmjet sipërmarrjeve, kamatëvonesa do të nisë të llogaritet nga dita pas afatit të pagesës të përcaktuar në kontratë. Nëse kontrata nuk ka një datë apo afat të qartë pagese, atëherë si rregull do të zbatohet afati prej 30 ditësh kalendarike.
Ky afat do të llogaritet nga data kur debitori merr faturën ose një kërkesë të barasvlershme për pagesë. Në rastet kur data e faturës është e paqartë, ose kur fatura është marrë përpara dorëzimit të mallrave apo shërbimeve, afati 30-ditor do të nisë nga momenti i marrjes në dorëzim të mallrave ose shërbimeve.
Projektligji vendos gjithashtu kufij për procedurat e dorëzimit ose kolaudimit. Këto procedura, që përdoren për të verifikuar nëse malli apo shërbimi është kryer sipas kontratës, nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë kalendarike. Përjashtim bëjnë rastet kur palët kanë rënë dakord shprehimisht ndryshe dhe kur kjo zgjatje nuk dëmton padrejtësisht kreditorin.
Për kontratat ndërmjet bizneseve, afati i pagesës nuk mund të kalojë 60 ditë kalendarike. Një afat më i gjatë mund të pranohet vetëm nëse është parashikuar qartë në kontratë dhe nëse nuk është i padrejtë ndaj palës që pret të paguhet.
Rregulla më të forta parashikohen për institucionet publike
Kur debitor është një autoritet publik, kreditori do të ketë të drejtë të marrë kamatëvonesë ligjore nëse nuk paguhet në kohë, pa pasur nevojë për njoftim paraprak.
Në kontratat me autoritetet publike, afati i pagesës nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë kalendarike. Ky afat mund të zgjatet deri në maksimumi 60 ditë vetëm nëse kjo është rënë dakord shprehimisht në kontratë.
Projektligji parashikon se edhe procedurat e dorëzimit apo kolaudimit në kontratat me institucionet publike nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë kalendarike. Çdo kusht në kontratë apo në dokumentet e tenderit që vendos një afat më të gjatë do të konsiderohet i pavlefshëm.
Gjithashtu, sipas projektligjit, data e marrjes së faturës nuk mund të përcaktohet me marrëveshje mes palëve, në mënyrë që të shtyhet artificialisht nisja e afatit të pagesës. Çdo kusht kontraktor që synon shtyrjen e kësaj date do të jetë i pavlefshëm.
Ekzekutimi i detyrimeve
Projektligji ndërhyn edhe te procedura e ekzekutimit të detyrimeve. Nëse detyrimi nuk shlyhet dhe nuk është kundërshtuar nga debitori, ai mund të vihet në ekzekutim të detyrueshëm së bashku me kamatëvonesat ligjore ose kontraktore dhe me shpenzimet për rikthimin e kredisë. Në këto raste, gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve kalendarike nga paraqitja e kërkesës.
Ndryshimet nuk do të zbatohen për kontratat e vjetra. Projektligji parashikon se rregullat e reja do të vlejnë vetëm për transaksionet tregtare dhe kontratat e lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Për detyrimet e institucioneve publike ndaj sipërmarrjeve, të krijuara dhe të pashlyera përpara hyrjes në fuqi të ligjit, do të vijojnë të zbatohen rregullat e mëparshme. Ndërkohë, afatet e reja për autoritetet publike do të nisin të zbatohen 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Gjatë kësaj periudhe, institucionet publike dhe ministria përgjegjëse për financat duhet të hartojnë një plan për shlyerjen graduale të stokut të detyrimeve./ekofin.al







