Ballina Aktualitet Mesazhi i qytetarit për sorrollatjet me rindërtimin, Rama: Bashkia Tiranë me oksigjen,...

Mesazhi i qytetarit për sorrollatjet me rindërtimin, Rama: Bashkia Tiranë me oksigjen, i neveritur me administratën në disa vende

88
0

Një mesazh i një qytetari, i publikuar nga Kryeministri Rama, ka nxjerrë në pah një nga plagët ende të hapura të procesit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019. Bëhet fjalë për 12 familje të një pallati pranë ish-Ministrisë së Jashtme në Tiranë, të cilat prej gati shtatë vitesh vijojnë të enden nga një institucion te tjetri, pa marrë një zgjidhje për banesat e tyre të dëmtuara.

Në mesazhin e tij, qytetari Amos Mezuraj përshkruan një histori të gjatë premtimesh të pambajtura, përgjegjësish të deleguara dhe një administrate që, sipas tij, i ka lënë qytetarët në mëshirë të fatit.

Ai shkruan se familjet kanë trokitur në çdo derë institucionale, nga njësitë administrative dhe Bashkia e Tiranës, te ministritë, Avokati i Popullit dhe vetë Kryeministria. Edhe pasi i kishin dërguar një letër kryeministrit një vit më parë, banorët u kontaktuan nga Bashkia e Tiranës dhe morën premtime për zgjidhje, por pas zgjedhjeve lokale gjithçka, sipas tyre, u rikthye në pikën zero.

“Nëse do të isha në vendin tënd, pas gjashtë vitesh pritje, me shumë gjasa edhe unë do të isha pjesë e asaj proteste”, deklaroi Rama, duke shtuar se e ndjen zemërimin e qytetarit dhe se askush nuk duhet të detyrohet t’i shkruajë kryeministrit për çështje që duhet të zgjidhen nga institucionet përgjegjëse.

Rama tha se mesazhi i qytetarit ishte përcjellë që një vit më parë te Bashkia e Tiranës, por pranoi se administrata ka dështuar në trajtimin e rasteve të tilla.

“Nuk kemi kryetar bashkie. Kemi një bashki që funksionon me defibrilator, me oksigjen, me 700 shtytje dhe me 700 ngërçe”, u shpreh ai, duke pranuar se kur administrata nuk mban barrën që i takon, ajo barrë bie mbi qytetarin.

Në të njëjtën kohë, Kryeministri kritikoi fenomenin që, sipas tij, probleme reale të qytetarëve përdoren nga aktorë politikë apo grupe të ndryshme për të ushqyer protesta dhe tensione.

Sipas Ramës, njerëzit që protestojnë për hallin e tyre meritojnë respekt dhe zgjidhje, ndërsa ata që përpiqen ta përdorin këtë zemërim për interesa politike nuk synojnë zgjidhjen e problemeve, por vazhdimin e tyre.