Ballina Opinion Ata shohin protestuesit në rrugë, nuk shohin dot ëndrrën që po ecën...

Ata shohin protestuesit në rrugë, nuk shohin dot ëndrrën që po ecën bashkë me ta

72
0

Nga Red Varaku 

Shumica e analistëve politikë po bëjnë të njëjtin gabim sepse po kërkojnë të kuptojnë protestën si një ngjarje, ndërkohë që ajo është një proces, dhe proceset nuk maten me numrin e njerëzve në një shesh apo me një datë në kalendar. Proceset maten me ndryshimin që prodhojnë në mendjen e njerëzve.

Prandaj është normale që ata nuk e kuptojnë.

Janë mësuar ta lexojnë politikën me skemat e vjetra, kush e organizon, kush e financon, kush përfiton. Por kjo nuk është më historia. Historia është se prej më shumë se një muaji mijëra njerëz dalin çdo ditë në rrugët e Tiranës, me një këmbëngulje, një disiplinë dhe një qëndrueshmëri që Shqipëria nuk i ka parë prej dekadash.

Në këtë kontekst kjo nuk është më thjesht protestë. Kjo është krijimi i një vetëdijeje të re.

Arritja më e madhe e kësaj lëvizjeje nuk është as numri i protestuesve dhe as presioni mbi qeverinë. Arritja e saj më e madhe është se ka ndezur ëndrrën dhe imagjinatën e një Shqipërie tjetër.

Duket si një gjë e vogël, por në fakt, është gjëja më e madhe që mund t’i ndodhë një shoqërie. Sepse çdo ndryshim fillon si një ëndërr. Fillimisht është vetëm një ide. Pastaj bëhet dëshirë. Më pas bëhet bindje. Dhe në fund bëhet realitet.

Kush e nënvlerëson fuqinë e një ëndrre politike, nuk ka kuptuar kurrë se si ndryshon historia.

Po e shpjegoj me një shembull personal.

Prej më shumë se një viti po ndërtoj një shtëpi të re. Ende jam te themelet. Nuk kam mbaruar as muret. Por unë jetoj çdo ditë me imagjinatën e jetës në atë shtëpi.

Dhe pikërisht kjo imagjinatë ma ka bërë gjithnjë e më të vështirë të jetoj në shtëpinë ku banoj sot. Sepse mendja ime jeton tashmë diku tjetër.

Kështu ndodh edhe me shoqëritë.

Kur një popull fillon ta shohë veten duke jetuar në një Shqipëri tjetër, Shqipëria e vjetër fillon t’i duket e pajetueshme. Dhe ky është momenti kur sistemi fillon të humbasë, edhe nëse vazhdon të ketë pushtetin.

Kjo është ajo që nuk po kuptojnë shumë analistë. Ata shohin protestuesit në rrugë. Nuk shohin ëndrrën që po ecën bashkë me ta.

Prandaj, edhe nëse protesta mund të mbarojë qoftë edhe nesër, ëndrra që ajo ndezi nuk fiket më.

Dhe pikërisht ajo ëndërr do të jetë flaka që do ta bëjë të pamundur rikthimin në Shqipërinë që kemi njohur deri sot.