Ballina Editorial Zhvillim do të thotë t’u sigurosh mjaftueshmërinë atyre që kanë më pak...

Zhvillim do të thotë t’u sigurosh mjaftueshmërinë atyre që kanë më pak !

70
0

Irena Beqiraj

E kundërta e varfërisë nuk është pasuria, e kundërta e varfërisë është mjaftueshmëria.

Edhe natyrshëm lind pyetja- a e kanë përmirësuar socialistët mjaftueshmërinë ?

Çmimet e larta të ushqimeve ‘rrëmbejnë’ 39.6% të buxhetit të familjeve shqiptare, gati 3 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian. Mesatarja në Bashkimit Europian është rreth 13%, ndërsa në rajon familjet harxhojnë më pak se 35% të buxhetit familjar për ushqim.

Ndërsa ushqimi zë 39.6% të buxhetit të familjeve sipas të dhënave të fundit të FAO-s për periudhën 2022–2024, Shqipëria shfaqet i vetmi vend në Evropë ku kequshqyerja është ende problem. Ndërsa shumica dërrmuese e vendeve europiane kanë pothuajse zero prevalencë të popullsisë që nuk arrin të sigurojë ushqim të mjaftueshëm, Shqipëria shfaqet ndryshe nga fqinjët e saj dhe standardi evropian.

Edhe pse mininistri i financave e ka shpallur ekonominë shqiptare ekonominë më të qëndrueshme të rajonit të dhënat e FAO-s tregojnë se kequshqyerja në Shqipëri ka qenë në rritje.

Në fillim të qeverisjes socialiste 2014–2016, prevalenca e kequshqyerjes ishte 4.5%. Pas viteve 2019–2020 prevalenca e kequshqyerjes arrin në 5.4% për vitet 2020–2021 u rritur më tej në 5.8% duke shënuar një kulm të ri në 6.2% në periudhën 2021–2023.

Këto të dhëna nuk tregojnë as luks e as bollëk, aq më pak qëndrueshmëri por përkundrazi presionin e rëndë që kostot e larta të ushqimit ushtrojnë mbi të ardhurat e ulëta të familjeve. Kur çmimet e ushqimeve përputhen me ato të vendeve më të pasura si Gjermania ose Italia, ndërsa pagat lokale mbeten ndër më të ulëtat në Evropë, sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm mbetet sfida e familjeve shqiptare.

Nga viti 2013 deri në vitin 2025 në Shqipëri, çmimet e përgjithshme të konsumit ose inflacioni i përgjithshëm është rritur me 34% ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur dy herë më shumë 68%.

Fqinjët tanë malazezë apo maqedonas dhe rajoni në përgjithësi kanë kostot bazë të ushqimeve shumë më të ulëta në krahasim me fuqinë blerëse, duke e bërë furnizimin e tyre me ushqim dukshëm më të qëndrueshëm, ndërsa shqiptarët duhet të mbajnë akoma barrën e pasigurisë ushqimore.

Por socialistët e qeverisë e të Kuvendit nuk i shqetëson oligopoli që lulëzon në tregun e importit të çdo produkti bazë ushqimor e as rënia e prodhimit bujqësor vendas

Nuk flasin për to edhe pse kombinimi i këtyre dy faktorëve është shkaktari i pamjaftueshmërisë, çmime që për fatin e keq të socialistëve nuk u zbutën as nga zhvlerësimi i euros.

Sepse socialistët kanë ngatërruar testin e zhvillimit. Testi i zhvillimit ekonomik nuk rritja ekonomike që u shton bollëkun atyre që kanë shumë, por nëse ekonomia u siguron mjaftueshëm atyre që kanë shumë pak.