Ballina Ekonomia Tatimet, njoftim për bankat dhe institucionet financiare, nga 2027 nis raportimi me...

Tatimet, njoftim për bankat dhe institucionet financiare, nga 2027 nis raportimi me standarde të reja

62
0

Administrata Tatimore ka njoftuar institucionet financiare raportuese për hyrjen në fuqi të ndryshimeve në aktet zbatuese të ligjit “Për shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive financiare”, duke përshtatur kuadrin shqiptar me versionin e amenduar të Standardit të Raportimit të Përbashkët (CRS) të OECD-së.

Ndryshimet janë miratuar me VKM nr. 113, datë 27 shkurt 2026, dhe synojnë forcimin e shkëmbimit automatik të informacionit financiar ndërmjet administratave tatimore, në përputhje me zhvillimet më të fundit ndërkombëtare.

Një nga risitë kryesore është zgjerimi i fushës së raportimit për kategori të reja produktesh dhe llogarish financiare. Në kuadër të ndryshimeve përfshihen edhe produkte të caktuara të parasë elektronike, para elektronike të bankave qendrore, si dhe elementë të lidhur me kriptoasetet, sipas përkufizimeve të reja të përcaktuara në vendim.

Po ashtu, janë përditësuar rregullat e vigjilencës së duhur (due diligence), duke vendosur kërkesa shtesë për vetëdeklarimet e klientëve, verifikimin e rezidencës tatimore dhe integrimin më të madh me procedurat kundër pastrimit të parave dhe njohjes së klientit (AML/KYC).

Ndryshimet prekin edhe përmbajtjen e raportimit. Institucionet financiare do të duhet të raportojnë më shumë elementë informacioni, si statusin e vlefshmërisë së vetëdeklarimit, rolin e personave kontrollues, llojin e llogarisë, nëse ajo është paraekzistuese apo e re, si dhe të dhëna shtesë për llogaritë e përbashkëta.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale. Vendimi përcakton kërkesa më të detajuara për mënyrën e përpunimit të të dhënave dhe detyrimin e institucioneve financiare për të informuar mbajtësit e llogarive mbi përdorimin dhe shkëmbimin e informacionit të tyre.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nga 1 janari 2027 të gjitha institucionet financiare raportuese do të duhet të dorëzojnë informacionin sipas skemës së re teknike XML 3.0. Raportimi i parë sipas këtij standardi do të mbulojë vitin kalendarik 2026 dhe duhet të dorëzohet jo më vonë se 30 maj 2027.

Për këtë arsye, administrata tatimore u kërkon bankave dhe institucioneve të tjera financiare të nisin që tani përgatitjet, duke rishikuar klasifikimin e produkteve dhe llogarive, formularët e vetëdeklarimit, procedurat AML/KYC, politikat e privatësisë dhe sistemet informatike që do të mbështesin raportimin sipas standardit të ri XML 3.0. /ekofin.al