Një 32-vjeçar është vënë në pranga në Vlorë pasi qarkullonte me një mjet tip ‘Audi’ me armë zjarri pistoletë me vete. Autoritete kanë sekuestruar 40 fishekë luftarakë dhe një radio e ngjashme me ato të Policisë.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”, për rritjen e parametrave të sigurisë dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje.
Qarkullonte i armatosur me armë zjarri dhe me një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit, arrestohet 32-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, 40 fishekë luftarakë dhe një radio e ngjashme me ato të Policisë.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas qarkullonte i armatosur në qytetin e Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Siguria”.
Si rezultat i operacionit, në lagjen “Lef Sallata”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. M., 32 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Audi, me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, 2 krehra me 22 fishekë luftarakë, një mbajtëse plastike me 18 fishekë luftarakë, si dhe një radio të ngjashme me ato që përdor Policia e Shtetit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.







