Ballina Aktualitet “Nuk ka dhe nuk do të ketë negociata me Edi Ramën”/ Kuvendi...

“Nuk ka dhe nuk do të ketë negociata me Edi Ramën”/ Kuvendi Qytetar i protestës, bën të qartë përgjigjen ndaj pushtetit

88
0

Pas polemikave që shpërthyen mes protestuesve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar në Hotel Tirana, Klajdi Bello, pjesë e grupit të punës, ka ndarë një deklaratë për shtyp.

Në të thuhet se ky Kuvend ka për qëllim të marrë “rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr miratimin e mbarë qytetarëve protestues”. Mbetet e paqartë se si do ta marrin dakordësinë e të gjithë protestuesve, por Kuvendi Qytetar duket se një qëndrim e ka të qartë. Ata thonë se nuk do të pranojnë asnjë negociatë me kryeministrin Edi Rama.

Deklarata e plotë:

Njoftim i Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar.

Dje, më datë 3 korrik 2026 u mbajt mbledhja e dytë e Grupit të Punës për krijimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar. Mbledhja e këtij grupi dhe qëllimi i tij janë bërë me miratimin e Grupit Nismëtar Koordinues të Protestës Kombëtare, një pjesë e të cilëve janë pjesëtarë të grupit të punës, ndërsa të tjerë erdhën me cilësinë e vëzhguesit.

Kuvendi i Kombëtar Qytetar ka për qëllim të marrë rolin e përfaqësuesit gjithëpërfshirës të Protestës Kombëtare, por vetëm nëse merr më parë miratimin e mbarë qytetarëve protestues. Theksojmë që pa marrë paraprakisht këtë miratim nuk mund të quhet ende përfaqësues i Protestës Kombëtare.

Qëndrimi unanim dhe i padiskutueshëm i grupit të punës për formimin e Kuvendit Kombëtar Qytetar është : NUK KA DHE NUK DO TË KETË NEGOCIATA me Edi Ramën.

Grupi i Punës në themel të veprimtarisë së tij ka këto qëndrime, prandaj ka ngjallur frikën dhe revanshin e sistemit të vjetër dhe establishmentit aktual, i cili, me të gjitha mjetet, po lufton ta përçajë, delegjitimojë dhe armiqësojë Grupin e Punës me protestuesit dhe popullin si dhe po investon gjithçka për të ndaluar mbledhjen e Kuvendit Kombëtar Qytetar.

Ky establishment ka tmerr nga bashkimi i të gjithë shqiptarëve atdhetarë në një tryezë të përbashkët ku do të ulen e bashkëveprojnë mbi 300 persona anti establishment, nga më cilësorët që ka vendi ynë

Ndërkohë puna nga ana jonë po vazhdon me intensitet dhe presioni i politikës së vjetër bashkë me mediat e kapura të saj thjesht po rrit motivimin tonë e të mbarë qytetarëve protestues.

Kuvendi Kombëtar Qytetar është i popullit dhe produkt i protestës qytetare. Ai do të mblidhet me çdo kusht e çdo shqiptar atdhetar do ta ndiejë veten të mirëpërfaqësuar prej tij!