Ballina Aktualitet Dhuna ndaj protestuesit/ Lamallari nxiton me paralajmërime ndaj avokatit pa pritur përfundimin...

Dhuna ndaj protestuesit/ Lamallari nxiton me paralajmërime ndaj avokatit pa pritur përfundimin e hetimit të AMP

103
0

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka reaguar pas deklaratave të avokatit protestuesit, Niko Qarkajt, i cili pretendoi se klienti i tij është dhunuar gjatë ndalimit nga policia.
Në reagimin e tij, ministri tha se menjëherë pas publikimit të këtyre pretendimeve ka kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, e cila i ka bërë me dije se ato janë “totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.

Lamallari bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për rastin dhe po administron të gjitha të dhënat përkatëse.

Megjithatë, pa pritur përfundimin e këtij procesi verifikimi nga AMP, ministri ka paralajmëruar edhe hapat e mundshëm ndaj avokatit. Sipas tij, nëse edhe AMP arrin në përfundimin se nuk ka pasur shkelje, Policia e Shtetit do ta referojë çështjen në Prokurori ndaj deklaruesit dhe do të kërkojë shqyrtimin e rastit në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgjegjësi etike dhe profesionale.

Para këtij reagimi, ministri duhej të ishte më i kujdesshëm dhe të priste që AMP të përfundonte verifikimet, përpara se të dilte me paralajmërime ndaj avokatit. Në situata të tilla, është më e drejtë që institucionet të mos nxitojnë me përfundime, sepse hetimi ende nuk ka dalë në një konkluzion zyrtar.

Nëse më pas AMP do të konfirmonte se ka pasur dhunë, atëherë këto paralajmërime të bëra më herët do të humbnin peshë. Po ashtu, një reagim i tillë i nxituar mund të krijojë përshtypjen që ministri ndoshta mund të ndikojë në hetimin e AMP. Prandaj, durimi do ishte më i drejtë nga ana e Lamallarit./vna