Ballina Aktualitet Protesta masive në Tiranë “pushton” mediat e huaja, Sky News: Ramës i...

Protesta masive në Tiranë “pushton” mediat e huaja, Sky News: Ramës i uruan “100 vite burg” për ditëlindje!

45
0

Jehona e revoltës popullore në Shqipëri ka kapërcyer kufijtë, duke marrë vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare. Gjiganti mediatik Sky News TG24 i ka kushtuar një hapësirë të rëndsësishme protestës madhështore të zhvilluar në Tiranë, duke pasqyruar me detaje se si nisi kjo lëvizje dhe si u shndërrua në një uragan kundër të gjithë sistemit politik.

Në shkrimin e tij, media prestigjioze italiane vë në dukje se rrugët e kryeqytetit shqiptar u përmbytën nga mijëra qytetarë në ditën e 35-të të qëndresës së tyre të pandërprerë, e cila zanafillën e ka te projektet në jug të vendit.

“Mijëra shqiptarë kanë mbushur rrugët e Tiranës, veçanërisht bulevardin përpara ndërtesës së qeverisë, në ditën e 35-të të protestave të vazhdueshme, të nxitura fillimisht nga protestat kundër projektit për një mega-resort luksoz në jug të Shqipërisë, i sponsorizuar nga Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Këto tubime tashmë janë shndërruar në demonstrata kundër të gjithë klasës politike të vendit,” shkruan Sky News TG24.

Sky News TG24 nuk ka lënë pa përmendur as ironinë dhe mesazhet e forta që protestuesit kishin rezervuar për kryeministrin Edi Rama, pikërisht në ditën e lindjes së tij, teksa ky i fundit refuzon të dëgjojë zërin e popullit.

“Protesta përkon me ditëlindjen e kryeministrit socialist Edi Rama, për të cilin po kërkohet dorëheqja. Një tortë e madhe ‘betoni’, e cila të kujton projektet e shumta të ndërtimit që protestuesit thonë se po dëmtojnë natyrën dhe peizazhet në Shqipëri, ishte ‘dedikimi’ i rezervuar për kryeministrin, i shoqëruar me urime ironike, ‘100 vite burg’, si dhe me një arkivol që simbolizon fundin e tij politik,” nënvizon media e huaj.