Një ndërhyrje e presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar polemika të mëdha rreth Kupës së Botës 2026, pasi sulmuesi i SHBA-së, Folarin Balogun, u lejua të luajë në ndeshjen me Belgjikën, pavarësisht se ishte pezulluar për një takim pas kartonit të kuq të marrë ndaj Bosnje dhe Hercegovinës.
Sipas një analize të CNN, vendimi i FIFA-s për të pezulluar dënimin e Balogun erdhi pasi Trump zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Vetë Trump e festoi publikisht vendimin në rrjetin Truth Social, duke shkruar: “Faleminderit FIFA-s që bëri atë që ishte e drejtë dhe korrigjoi një padrejtësi të madhe!”
Ky zhvillim ka ngritur dyshime për ndërhyrje politike në vendimmarrjen e FIFA-s dhe ka hapur debat mbi integritetin e turneut më të madh të futbollit.
Federata Belge e Futbollit reagoi menjëherë, duke deklaruar se vendimi bie ndesh me parimet e lojës së ndershme. Trajneri i Belgjikës tha se çështja nuk ka të bëjë vetëm me ndeshjen ndaj SHBA-së, por me mbrojtjen e integritetit të futbollit në tërësi.
Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Tarik Muharemoviç, vendim që u mor vetëm pas rishikimit me VAR. Fillimisht FIFA kishte bërë të ditur se pezullimi nuk mund të apelohej, por më pas Komisioni Disiplinor vendosi ta pezullojë zbatimin e dënimit duke u mbështetur në nenin 27 të Kodit Disiplinor.
Megjithatë, organizata nuk dha një shpjegim të detajuar për ndryshimin e qëndrimit, çka shtoi edhe më shumë dyshimet se vendimi mund të jetë ndikuar nga presioni politik.
CNN thekson se nuk ekziston një precedent i njohur ku një president në detyrë të ketë ndërhyrë për statusin disiplinor të një futbollisti gjatë Kupës së Botës. Për këtë arsye, rasti Balogun po konsiderohet si një nga polemikat më të mëdha të këtij edicioni.
Sipas medias amerikane, marrëdhënia e afërt mes Trump dhe Infantinos vetëm sa ka ushqyer spekulimet. Të dy janë shfaqur shpesh së bashku në aktivitete publike dhe presidenti i FIFA-s ka vlerësuar vazhdimisht bashkëpunimin me administratën amerikane.
CNN paralajmëron se rasti mund të krijojë një precedent të rrezikshëm, pasi çdo vendim i diskutueshëm i FIFA-s në vijim mund të vihet nën hijen e ndikimit politik, duke dëmtuar besueshmërinë e Kupës së Botës.







