Vrasja e një të riu shqiptar ka tronditur Suedinë. Gent Maksutaj, vetëm 19 vjeç, u vra në rrugë në Upsala ndërsa kishte dalë shëtitje.
Sipas medieve vendase, shqiptari sapo ishte diplomuar dhe kishte në plan të studionte për arkitekturë.
Por të dielën në mbrëmje ai doli në shëtitje pasi kishte vrarë gjurin duke luajtur futboll dhe kishte nevojë që të lëvizte në mënyrë që plaga të mos i bëhej më keq. Por ky ishte edhe momenti fatal për Gentin.
Fillimisht u raportua se Genti ishte goditur gabimisht pas një përplasje mes bandave. Ndërkohë, një 18-vjeçar është arrestuar për krimin e rëndë.
Gazeta Aftonbladet raporton se vrasja është një ekzekutim i pastër. Autori mori trenin për Stokholm, por u arrestua më vonë në një restorant Burger King.
Mendohet se autori ka udhëtuar me biçikletë dhe ka qëlluar një herë. Pasi viktima ishte shtrirë përdhe, ai është afruar dhe ka qëlluar sërish nga afër.
Prokurorët mendojnë se ka persona të tjerë të përfshirë në këtë krim. Policia nuk është në gjendje të thotë akoma nëse krimi ka lidhje me luftën mes bandave në Suedi.







