Ballina Kulturë Si e shpiku Bruneleski perspektivën lineare dhe ndryshoi përgjithmonë artin

Si e shpiku Bruneleski perspektivën lineare dhe ndryshoi përgjithmonë artin

80
0

Perspektiva lineare, “truku matematik” që e shndërron një sipërfaqe të sheshtë në një dritare drejt hapësirës, ishte rezultat i një mijëvjeçari përpjekjesh drejt një zbulimi të vetëm vendimtar.

Intuita e lashtë pa sistem

Piktorët grekë dhe romakë tashmë i zvogëlonin objektet e largëta dhe i mbivendosnin format për të krijuar ndjesinë e thellësisë. Afresket e Pompeit ende mahnitin me ndjenjën e hapësirës. Por nuk ekzistonte një horizont i fiksuar apo një pikë e vetme zhdukjeje, iluzioni krijohej “me ndjesi”, jo me formulë, dhe nuk mund të mësohej lehtësisht, vetëm të imitohej.

Arti mesjetar dhe refuzimi i hapësirës (500–1300)

Artistët bizantinë dhe gotikë nuk kërkonin një sistem të tillë. Ata i pikturonin figurat fetare më të mëdha pavarësisht pozicionit të tyre, duke refuzuar qëllimisht logjikën hapësinore tokësore. Ikona e sheshtë me sfond të artë ishte menduar si një portë drejt hyjnores, jo si një dritare drejt botës reale.

Giotto dhe hapat e parë drejt perspektivës (rreth 1305)

Në Kapelën Scrovegni në Padova, Giotto di Bondone pikturoi figura me peshë reale, hije dhe ndjesi tredimensionale, duke përdorur mbivendosje dhe përmasa më të qëndrueshme se çdo paraardhës. Ai nuk kishte formulë gjeometrike, por një sy të jashtëzakonshëm, megjithatë ai tregoi se fuqia emocionale e artit varet nga besueshmëria hapësinore, duke hapur problemin që brezi i ardhshëm duhej ta zgjidhte.

Eksperimenti i Bruneleskit në Piazza (rreth 1420)

Filipo Bruneleski, më vonë i famshëm për kupolën e Santa Maria del Fiore, pikturoi Baptisterin e Firences në një panel të vogël, hapi një vrimë shikimi në të dhe i bëri shikuesit ta krahasonin me ndërtesën reale përmes një pasqyre. Imazhi i pikturuar dhe ai real përputheshin saktësisht. Forca e panelit vinte nga logjika e brendshme: një horizont i fiksuar dhe një pikë e vetme zhdukjeje ku të gjitha vijat takoheshin matematikisht. Kjo ishte perspektiva si sistem. Bruneleski nuk e shkroi kurrë, por qarqet artistike të Firences e përhapën shpejt idenë.

Masaccio dhe “Triniteti” (1427–1428)

Në Santa Maria Novella, Masaccio zbatoi parimet e Bruneleskit në një afresk të Trinisë aq bindës, sa disa shikues menduan se muri ishte ndryshuar fizikisht. Kjo konsiderohet piktura e parë monumentale që përdori sistemin në mënyrë të plotë, përpara se rregullat të ishin shkruar.

Alberti e kthen në teori (1435)

Leon Battista Alberti në veprën Della Pittura e ktheu zbulimin e Bruneleskit në gjuhë dhe diagrame të mësueshme: piktura si një dritare transparente, me vijë horizonti, pikë qendrore dhe vijat që konvergojnë. Kjo e shndërroi një ide private në teknologji të transferueshme, ndoshta pika më e rëndësishme në historinë e perspektivës.

Piero della Francesca dhe matematika e pastër (1470–1480)

Piero e çoi perspektivën në nivel gjeometrie rigoroze, duke trajtuar forma, trupin njerëzor dhe perspektiva të shumëfishta si prova matematikore. Për të, perspektiva u bë shkencë e aplikuar, jo thjesht teknikë artistike.

Leonardo da Vinci dhe ndërlikimi i sistemit

Leonardo kuptoi se gjeometria nuk shpjegonte gjithçka: objektet e largëta zbehen dhe mjegullohen. Ai dalloi tre lloje perspektive, madhësi, ngjyrë dhe qartësi, dhe përdori teknikën sfumato për t’i bashkuar, si në Virgjëresha e Shkëmbinjve. Ai nuk e hodhi poshtë Bruneleskin, por tregoi se sistemi ishte vetëm pjesë e një realiteti më të gjerë.

Dyrer e përhap në Europën Veriore (1525)

Albrecht Dyrer solli teorinë e perspektivës në Evropën Veriore pas udhëtimeve në Itali. Ai krijoi edhe mjete mekanike, korniza shikimi, rrjeta dhe pajisje me fije, që lejonin artistët të ndërtonin perspektivë pa njohuri të thella matematikore.

Fotografia e trashëgon logjikën (shek. XIX)

Kur fotografia u zhvillua në vitet 1830, ajo automatizoi logjikën e perspektivës lineare: një sy i vetëm, një horizont dhe vija që konvergojnë. Fotografia e bëri perspektivën standardin vizual të botës moderne.

Pse ka rëndësi edhe sot

Arkitektët e përdorin për të vizualizuar ndërtesa; dizajnerët e lojërave ndërtojnë botë 3D mbi ekrane të sheshta; regjisorët e filmit manipulojnë thellësinë për efekt emocional. Edhe kubistët, që e thyenin këtë sistem, mbështeteshin te ai për ta bërë rebelimin e tyre të kuptueshëm.

Nga një intuitë e thjeshtë e piktorëve të lashtësisë deri te imazhi satelitor i qyteteve moderne, perspektiva lineare është historia e mënyrës se si njerëzimi u dakordësua për mënyrën se si syri sheh botën, dhe si një sipërfaqe e sheshtë nuk u pa më kurrë njësoj pasi Bruneleski “hapi kodin”.