Ballina Politika “Ushtria e fantazmave virtuale më kërkon të lë mandatin”/ Koçeku akuza Ramës:...

“Ushtria e fantazmave virtuale më kërkon të lë mandatin”/ Koçeku akuza Ramës: Në republikën e falsitetit mobilizohen për të shkatërruar kundërshtarët

81
0

Deputetja e larguar nga Partia Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar pas presioneve dhe kritikave në rrjetet sociale, duke deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mandati i saj parlamentar.
Në një postim publik, Koçeku tha se prej disa ditësh po përballet me profile të rreme dhe sulme online nga persona që, sipas saj, kërkojnë ta detyrojnë të largohet nga Parlamenti. Koçeku deklaron se pas këtyre sulmeve qëndrojnë struktura të organizuara, duke përmendur edhe shifra të larta të profileve false në rrjetet sociale.

“Thuhet se janë diku 800 mijë profile të tilla që qarkullojnë. Bashkitë janë kthye në garnizone të këtyne mercenarëve dhe ushtrojnë presion të përditshëm përmes fjalës nëpër komente e postime”, deklaroi ajo.

Deputetja tha se sulmet janë intensifikuar veçanërisht gjatë periudhës së protestave, duke akuzuar mbështetës të qeverisë për përdorim të rrjeteve sociale për të denigruar zërat kritikë.

“E kam ditë se çmimi i të folunit lirshëm ka me qenë i naltë, por heshtja do kishte kushtue shumë ma tepër”, shkroi Koçeku, duke shtuar se nuk duhet të krijohet një “republikë e fallsitetit dhe e fantazmave online”, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Prej disa ditësh po përballem në rrjetet sociale me nji ushtri virtuale patronazhistësh e profilesh të rreme që më kërkojnë me e lanë mandatin.
Me e lanë mandatin e kam shumë të lehtë. Por nuk jam mësue me i hapë rrugë të keqes, që ka marrë edhe formën e këtyne mercenarëve virtualë, të organizuem prej komandantëve të tyne – funksionarë të këtij shteti, për me përbaltë e me denigrue veç pse kam zgjedhë pavarësinë e përfaqësimit në parlament.
Thuhet se janë diku 800 mijë profile të tilla që qarkullojnë. Bashkitë janë kthye në garnizone të këtyne mercenarëve dhe ushtrojnë presion të përditshëm përmes fjalës nëpër komente e postime.
Kurrë nuk asht keqpërdorë fjala ma shumë në historinë e demokracisë së këtij vendi. Dhe tash në kohë proteste vërehet mobilizimi total i tyne për me shkatërrue e denigrue çdokend që i del kritik qeverisë.
E kam ditë se çmimi i të folunit lirshëm ka me qenë i naltë, por heshtja do kishte kushtue shumë ma tepër në këtë republikë që kërkon me i luftue qytetarët e vet me fantazma, hije patronazhistësh dhe profile false.
Kjo nuk duhet me qenë republika e fallsitetit dhe e fantazmave online.