KryeInspektori i Përgjithshëm Dashnor Sula ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me inspektorët e Qarkut Fier. Në një deklaratë për mediat Sula ka deklaruar se siguria ushqimore në qarkun e Fierit, do të jetë në fokus të punës pasi është një nga qarqet kryesore për prodhimin dhe përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Sipas tij, për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të turistëve gjatë sezonit veror, inspektorët e sigurisë ushqimore do të shtojnë kontrollet në stabilimentet e përpunimit të qumështit dhe në subjektet që tregtojnë produkte ushqimore.
Ai theksoi se kontrollet do të jenë më intensive për të garantuar që produktet të përmbushin standardet e sigurisë dhe cilësisë, me synimin që turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë qarkun e Fierit, përfshirë destinacionet si Apolonia, Bylisi dhe Ardenica, të konsumojnë produkte të sigurta dhe cilësore.
Sula pohoi gjithashtu se një vëmëndje e veçantë do ti kushtohet edhe kontrolleve në subjektet ndotëse të naftës dhe kontrollit të pesticideve në hambarin e Shqipërisë si një problematikë e ‘nxehtë’.







