Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kanadanë, një dentist dyshohet se ka vrarë dy fëmijët e tij të mitur dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas policisë së Otavës, 40-vjeçari Mohammed Al-Lami dyshohet se vrau dy djemtë e tij, të moshave 7 dhe 12 vjeç, në banesën e tij. Më pas, ai dyshohet se i vuri zjarrin klinikës dentare ku punonte duke përdorur bomba molotov dhe më vonë u vetëdogj brenda automjetit të tij.
Autoritetet kanadeze kanë nisur një hetim për ngjarjen, e cila po trajtohet si një rast vrasjeje dhe vetëvrasjeje.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se dentisti kishte pasur më herët probleme ligjore me ish-bashkëshorten e tij, e cila ishte edhe nëna e dy fëmijëve të vrarë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, në vitin 2024 Al-Lami kishte qenë nën masë mbikëqyrjeje pas akuzave për kërcënim ndaj ish-gruas së tij.
Në një shënim disa faqesh të gjetur në zyrën e tij pas ngjarjes, ai kishte kritikuar ashpër ish-bashkëshorten, sistemin e drejtësisë dhe gjykatat familjare. Në dokument ai përmendte disa persona që i konsideronte përgjegjës për problemet e tij, duke bërë që autoritetet të merrnin masa për sigurinë e tyre.
Ish-bashkëshortja e tij kishte deklaruar në gjykatë se çifti ishte martuar dhe kishte dy fëmijë përpara se të ndaheshin në vitin 2022. Ajo tha se ishte shqetësuar nga mesazhet kërcënuese të ish-partnerit dhe kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet për shkak të frikës për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Sipas mediave lokale, ajo kishte treguar se kishte mbetur e tronditur nga përmbajtja e email-eve dhe se kishte ngritur shqetësimin se çfarë mund të ndodhte nëse kërcënimet do të ktheheshin në veprime reale.
Në muajin shkurt të këtij viti, Al-Lami ishte paraqitur vetë në gjykatë dhe kishte refuzuar një marrëveshje të propozuar nga sistemi i drejtësisë për një periudhë monitorimi me sjellje të mirë. Gjykata më pas i kishte vendosur një periudhë prove 12-mujore.







