Tre deputetë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut janë ndaluar në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa po tentonin të hynin në Shqipëri.
Bëhet fjalë për deputetin dhe koordinatorin e grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, deputetin Adnan Azizi, si dhe Hasim Murtezanin, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Sipas deklarimeve të tyre, ata po udhëtonin me pasaporta diplomatike dhe janë mbajtur për rreth një orë në pritje në pikën kufitare, pa marrë fillimisht një shpjegim për arsyen e ndalimit.
Pas kësaj, efektivët e policisë kufitare u kanë bërë të ditur se tre prej tyre mund të vijojnë udhëtimin, ndërsa personi i katërt që i shoqëronte nuk është lejuar të kalojë kufirin.
Në shenjë revolte, delegacioni ka vendosur të kthehet pas. Sipas deklarimeve të tyre, më pas u është komunikuar se ndaj tyre kishte një ndalesë hyrjeje në Shqipëri.
Burime për TV21 bëjnë me dije se kjo masë dyshohet se lidhet me përfshirjen e tyre në organizimin e protestave në Tiranë, të njohura si “Revolucioni Flamingo”. Deri më tani, institucionet shqiptare nuk kanë dhënë një sqarim zyrtar për rastin.
Për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka kërkuar sqarime nga Policia e Shtetit për ndalimin e zyrtarëve nga Maqedonia e Veriut.
Bardhi e ka cilësuar të papranueshëm këtë veprim, duke deklaruar se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duhet të trajtohen me respekt dhe në frymën e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Veprime të tilla janë të papranueshme, bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur dhe respektuar shqiptarët kudo që jetojnë, si dhe cenojnë frymën e bashkëpunimit dhe të respektit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, shkruan Bardhi.
Ai ka kërkuar që autoritetet shqiptare të bëjnë transparente arsyet e ndalimit dhe të sqarojnë rrethanat e këtij incidenti në pikën kufitare të Qafë Thanës.







