Ballina Aktualitet Tregtimi i kokainës në Shqipëri u rrit me 27.6% në vitin 2025,...

Tregtimi i kokainës në Shqipëri u rrit me 27.6% në vitin 2025, sasitë e kapura shënuan rënie

65
0

Rastet e tregtimit të kokainës në Shqipëri u rritën me gati 27.6% gjatë vitit 2025, ndërsa sasitë e sekuestruara shënuan rënie, një zhvillim që autoritetet e lidhin me ndryshimin e mënyrës së veprimit të rrjeteve kriminale dhe përdorimin e metodave më të fshehta të trafikimit të narkotikëve.

Sipas Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030, trafikimi i kokainës mbetet një nga kërcënimet më të rëndësishme për vendin, për shkak të fitimeve të larta, lidhjeve me rrjetet kriminale ndërkombëtare dhe përdorimit të të ardhurave për pastrim parash.

Dokumenti thotë se, pavarësisht rritjes së rasteve të zbuluara, ulja e sasive të kapura mund të tregojë se grupet kriminale po përshtaten ndaj presionit të institucioneve ligjzbatuese. Ato po përdorin mënyra më të sofistikuara për transportin, fshehjen, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.

Gjatë periudhës 2024–2025, rreth 58% e grupeve të krimit të organizuar që vepruan në shkallë vendi rezultojnë të përfshira në aktivitetet e lidhura me narkotikët. Prodhimi dhe trafikimi i drogës cilësohet aktiviteti kriminal dominues dhe më fitimprurës për këto struktura.

Fitimet investohen në ndërtim dhe turizëm

Strategjia vlerëson se trafiku i kokainës nuk përbën vetëm problem të rendit dhe sigurisë publike. Fitimet e krijuara nga ky aktivitet rrisin fuqinë financiare të grupeve kriminale dhe ushqejnë korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Ndërtimi dhe turizmi përmenden mes sektorëve ku mund të injektohen të ardhurat e paligjshme. Sasitë e mëdha të parave të gjeneruara nga kokaina riinvestohen në sektorë të ekonomisë së ligjshme, duke krijuar rrezik për konkurrencën, tregun e pasurive të paluajtshme dhe integritetin e bizneseve.

Dokumenti ngre shqetësimin edhe për përfshirjen e të rinjve në shpërndarjen dhe tregtimin e kokainës në doza konsumi. Trafikimi lidhet gjithashtu me përdorimin e dhunës dhe armëve, për shkak të konflikteve ndërmjet grupeve që kontrollojnë tregjet dhe rrugët e furnizimit.

Hetimet do të synojnë organizatorët, logjistikën dhe paratë

Përballë kësaj tendence, strategjia parashikon kalimin nga hetimet që fokusohen vetëm te kapja e lëndës narkotike drejt operacioneve të udhëhequra nga inteligjenca dhe teknologjia.

Policia e Shtetit duhet të përdorë më gjerësisht inteligjencën kriminale, mjetet analitike dhe kapacitetet e mbikëqyrjes për të identifikuar dhe goditur rrjetet e lidhura me drogën.

Në zonat e vlerësuara me rrezik të lartë parashikohet instalimi dhe përdorimi i sistemeve teknologjike të zbulimit, përfshirë skanerët, dronët dhe njësitë e lëvizshme të mbikëqyrjes.

Për këtë arsye parashikohet si një prej masave kryesore  nisja e hetimeve proaktive dhe përdorimi i teknikave të posaçme hetimore. Përparësi duhet t’u jepet çështjeve me elementëndërkufitarë dhe atyre që lidhen me të ardhura të konsiderueshme financiare.

Hetimet do të synojnë jo vetëm personat që transportojnë ose shpërndajnë drogën, por edhe organizatorët, financuesit, lehtësuesit, zinxhirët logjistikë dhe pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal.

Parashikohet gjithashtu forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit, SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Përgjithshme, Doganave, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Kontrolle për kanabisin mjekësor dhe pastrimin e parave

Strategjia përfshin edhe masa për kontrollin e kanabisit të kultivuar me licencë për qëllime mjekësore ose industriale.

Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit duhet të identifikojë rastet kur sasitë e kultivuara devijojnë nga lejet e dhëna, të verifikojë shkatërrimin e prodhimit të paautorizuar dhe të referojë shkeljet për masa administrative ose penale.

Informacioni i mbledhur sipas ligjit për kanabisin duhet të shkëmbehet me Policinë e Shtetit, SPAK-un, BKH-në dhe prokuroritë, për të identifikuar prodhimin e paligjshëm, trafikimin dhe pastrimin e parave që mund të lidhet me këtë aktivitet.

Dokumenti parashikon gjithashtu ndryshimin e ligjit për kontrollin e lëndëve që përdoren në fabrikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe përafrimin e tij me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Për objektivin që synon reduktimin e prodhimit, disponueshmërisë dhe trafikimit të narkotikëve parashikohet një kosto totale prej 1,66 miliardë lekësh për periudhën 2026–2030, ose rreth 17.9 milionë euro. /ekofin.al