Ballina Politika Eurodeputetja italiane kritikon qeverinë Rama: Nuk janë protestat që kërcënojnë anëtarësimin, por...

Eurodeputetja italiane kritikon qeverinë Rama: Nuk janë protestat që kërcënojnë anëtarësimin, por hapat pas të…

84
0

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, protestat qytetare dhe shqetësimet për korrupsionin dhe keqqeverisjen u kthyen në temë kryesore diskutimi në Strasburg, gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Europian.

Eurodeputetë të ndryshëm kritikuan kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë shqiptare, duke i cilësuar ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura si në kundërshtim me standardet dhe direktivat e Bashkimit Europian. Ata kërkuan respektimin e transparencës, mbrojtjen e mjedisit dhe forcimin e shtetit ligjor, ndërsa ngritën shqetësime edhe për mënyrën e qeverisjes në Shqipëri.

Protestat e qytetarëve shqiptarë dhe ndryshimet ligjore që hapin mundësinë për ndërtime në zona të mbrojtura ishin në qendër të debatit në Strasburg.

Eurodeputetja italiane Christina Guarda, e cila pak ditë më parë vizitoi Shqipërinë dhe inspektoi edhe zonën e Zvërnecit, kritikoi deklaratat e qeverisë se nuk janë dhënë leje ndërtimi në këto zona. Ajo tha se gjatë vizitës së saj ka parë rrethime, gardhe dhe mjete që mund të përdoren për ndërtime.

“Kemi dëgjuar nga ministri që nuk është dhënë një leje ndërtimi. Kemi parë që janë bërë rrethime, gardhe që nuk lejojnë njerëzit të kalojnë dhe kemi identifikuar makina, që shërbejnë për të kryer ndërtime në zonën e mbrojtur. Kur shkuam atje, diskutuam me ministrin dhe ai dukej sikur nuk ishte në dijeni të kësaj situate.

Dhe tha që kjo ndoshta ishte bërë për përgatitjen e testeve që nevojiteshin, për të bërë vlerësimin mjedisor dhe vlerësimin e projektit. Nëse nuk jepet leje për të kryer një testim të caktuar, ne kemi aplikime dhe zona të caktuara. Nuk është e nevojshme që të bëhet gardhi. Ai na tha që ne nuk jemi pjesë e BE-së akoma. Kjo ishte e vështirë për ta kapërdirë. Komisioni ka thënë që duhet të tërhiqeni nga këto ndryshime. Kemi parë deklarata që protesta po kërcënojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nuk janë protestat që po e kërcënojnë, por hapa pas që po bëhen.”

Guarda theksoi se nuk janë protestat qytetare ato që rrezikojnë procesin e integrimit europian, por vendimet që, sipas saj, largohen nga standardet e kërkuara nga Bashkimi Europian.

Edhe eurodeputeti gjerman Sebastian Everding kritikoi modelin e zhvillimit turistik të ndjekur nga Shqipëria, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe mbrojtjes së pasurive natyrore.

“Shqipëria ka peizazhe dhe pasuri natyrore. Është një avantazh i madh konkurrues me vendet e tjera ajo që ka Shqipëria. Po mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse respektohet natyra, shteti ligjor dhe transparenca.”

Eurodeputeti Fredi Beleri tha se protestat në Shqipëri kanë në fokus shqetësime të brendshme të qytetarëve, si mungesa e transparencës, korrupsioni dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Ai kritikoi deklaratat e kryeministrit Rama, i cili sipas tij tenton t’ua atribuojë protestat faktorëve të jashtëm.

“Shumica e njerëzve që dolën në demonstrata janë shqiptarët që protestuan për mungesën e transparencës, korrupsionin, kanë folur për keqqeverisjen dhe largimin e trurit nga vendi. Këto protestues i ndjejnë shumë thellë, ndërsa qeveria thotë që këto probleme vijnë nga fqinjët. Duhet të përfundojë helmimi i shoqërisë.”

Edhe deputetët e opozitës shqiptare ngritën në Strasburg akuza ndaj qeverisë Rama, duke folur për ligje me porosi, përdorim të pasurive publike dhe lidhje të dyshuara me interesa private.

Deputeti Igli Cara solli si shembull projektin e portit të Durrësit, duke pretenduar se ai është realizuar në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe se një aset strategjik po shndërrohet në zonë ndërtimi.

Ndërkohë, deputeti Bardh Spahia ngriti shqetësime për lidhjet e qeverisë me krimin dhe për problemin e shpopullimit të vendit.

Përballë kritikave të eurodeputetëve dhe opozitës, përfaqësuesit e mazhorancës mbrojtën qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Ata pretenduan se ndaj Shqipërisë po zhvillohet një fushatë dezinformimi dhe se shumë prej kritikave nuk pasqyrojnë realitetin në vend.

Debati në Strasburg riktheu në vëmendje çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, transparencën institucionale dhe sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.