Ballina Kronika DURRES/ Arrestohen 2 shtetas me rrezikshmëri të lartë, në kërkim në Maqedoninë...

DURRES/ Arrestohen 2 shtetas me rrezikshmëri të lartë, në kërkim në Maqedoninë e Veriut, për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale

101
0

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, operacioni ndërkombëtar i koduar “Fury”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të shtrirë në kohë ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup.

Arrestohen në Durrës 2 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Në momentin e ndalimit, atyre iu gjetën dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Arrestohet në flagrancë dhe shtetasi nga RMV-ja, që dyshohet se iu ka siguruar të kërkuarve, dokumentet false.

Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë me prezencë në rajon, me shërbimet e DVP Durrës dhe me homologët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, finalizuan operacionin e koduar “Fury”.

Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.

Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë iu gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend.

Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xh. R., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar, dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë, partnerët strategjikë ligjzbatues amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup, për bashkëpunimin, asistencën dhe koordinimin në këtë operacion të përbashkët.