Ballina Sport Messi sfidon logjikën/ Ylli më i madh i Botërorit është lojtari që...

Messi sfidon logjikën/ Ylli më i madh i Botërorit është lojtari që ecën më shumë dhe vrapon më pak se të gjithë

73
0

Duket e pabesueshme, por lojtari më i mirë i Botërorit është njëkohësisht ai që vrapon më pak. Lionel Messi vazhdon të sfidojë çdo teori moderne të futbollit, ku rëndësi të madhe i kushtohet përgatitjes fizike, shpejtësisë dhe rezistencës. Falë talentit të tij të jashtëzakonshëm, kapiteni argjentinas arrin të bëjë diferencën pa pasur nevojë të mbështetet te intensiteti fizik.

Statistikat e turneut tregojnë se Messi ka notën më të lartë mes të gjithë futbollistëve, me një vlerësim mesatar prej 8.7, ndërsa njëkohësisht është ndër lojtarët që përshkon distancën më të vogël në fushë.

Në pesë ndeshjet e zhvilluara deri tani, ai ka përshkuar gjithsej 35.87 kilometra, ose mesatarisht 6.88 kilometra për ndeshje. Duhet theksuar se në një prej tyre nuk qëndroi në fushë për 90 minuta.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se 4.41 kilometra nga kjo distancë janë përshkuar duke ecur, duke e renditur Messin në krye të kësaj statistike të pazakontë në Botëror.

Në sfidën e fundit dramatike ndaj Egjiptit, të zhvilluar vetëm pak ditë më parë, Messi përshkoi 8.28 kilometra dhe arriti të gjente edhe rrugën e rrjetës, duke konfirmuar edhe një herë se ndikimi i tij në lojë nuk matet me kilometrat e përshkuar, por me momentet vendimtare që krijon. Ndërkohë, në ndeshjen ndaj Austrisë ai regjistroi 7.90 kilometra, shifra relativisht të ulëta për një futbollist të fushës, e aq më tepër për një lojtar që është vendimtar në çdo takim.

Edhe sa u përket sprinteve, Messi renditet ndër futbollistët me numrin më të ulët në turne, me vetëm 23 sprinte mesatarisht për ndeshje. Ai ka përshkuar 1.48 kilometra me vrap të lehtë, ndërsa vetëm 631 metra me shpejtësi të lartë gjatë gjithë Botërorit.

Edhe pse ecën më shumë se shumica e futbollistëve dhe vrapon më pak, Messi vazhdon të jetë lojtari që bën diferencën në momentet kyçe. Golat, asistet dhe vizioni i tij në fushë dëshmojnë se futbolli nuk fitohet vetëm me forcë fizike, por mbi të gjitha me inteligjencë, cilësi dhe talent.