Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka kërkuar nga futbollistët e tij që të luajnë me guxim dhe pa frikë në përballjen çerekfinale të Kupës së Botës 2026 ndaj Norvegjisë.
Trajneri gjerman ka theksuar se në fazën eliminatore nuk ka vend për hezitim dhe se skuadra e tij duhet të tregojë identitetin dhe forcën që e ka karakterizuar gjatë turneut.
“Duhet të çlirohemi, të lidhemi me identitetin tonë dhe të nxjerrim në pah atë që na bën të fortë. Duhet të jemi në sulm dhe të jemi të guximshëm. Është çerekfinale dhe trimat do ta kenë fatin në anën e tyre”, ka deklaruar Tuchel.
Ai shtoi se lojtarët e tij duhet të japin maksimumin dhe të mos lejojnë që pas ndeshjes të mbeten me pengje për shkak të mungesës së guximit.
“Nuk mund të lejojmë të kemi pendesa kur luajmë në këtë fazë. Duhet të japim gjithçka. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, u shpreh trajneri i “Tre Luanëve”.
Tuchel foli edhe për rrezikun kryesor të Norvegjisë, sulmuesin e Manchester Cityt, Erling Haaland, duke pranuar se neutralizimi i tij do të jetë një nga detyrat kryesore të mbrojtjes angleze.
“Nuk mund të shmangësh përqendrimin tek ai. Ai ka aq shumë cilësi në momentet vendimtare dhe duhet të marrësh vendime shumë të sakta për mënyrën se si do ta mbrosh”, tha Tuchel.
Sipas tij, Haaland është veçanërisht i rrezikshëm në zonën e rreptësisë, ku shpesh kërkon të sulmojë hapësirën te shtylla e dytë.
“Ai e pëlqen shumë të sulmojë zonën te shtylla e dytë, këtë e di e gjithë bota. Gjithçka varet nga momenti se kur duhet të bësh kontakt me të. Është një punë kolektive e skuadrës, por natyrisht vëmendja kryesore e qendërmbrojtësve tanë do të jetë tek ai”, përfundoi trajneri i Anglisë.







