Ballina Aktualitet Armir Shkurti: Kuvendi Kombëtar mund të vendosë edhe për krijimin e një...

Armir Shkurti: Kuvendi Kombëtar mund të vendosë edhe për krijimin e një lëvizjeje politike

75
0

Gazetari Armir Shkurti deklaroi se Kuvendi Kombëtar i protestës nuk ekziston ende, por është një nismë që po ndërtohet nga një grup organizatorësh për të krijuar një strukturë përfaqësuese të protestës. Sipas tij, detyra e parë dhe e vetme e këtij Kuvendi do të jetë të përfaqësojë frymën dhe vullnetin e protestuesve, duke mbajtur gjallë lëvizjen edhe nëse pjesëmarrja në shesh luhatet nga dita në ditë.

Në një intervistë për Euronews,Shkurti theksoi se nuk është ai që po e krijon Kuvendin dhe se askush nuk duhet ta paraqesë si një projekt personal. Ai u shpreh se është vetëm “një nga 300 mijë protestuesit” dhe se në këtë nismë nuk ka vend për persona që vazhdojnë të jenë anëtarë aktivë të partive politike, pasi protesta është ngritur mbi parimin “Rama në burg, Berisha në burg”.

Sipas tij, Kuvendi nuk do të shërbejë për të negociuar me qeverinë, për të zgjedhur një qeveri apo për të marrë vendime në emër të qytetarëve pa miratimin e tyre. Ai tha se çdo vendim do të bazohet te vullneti i protestuesve dhe se, nëse ata do ta kërkojnë, Kuvendi mund të vendosë edhe për krijimin e një lëvizjeje apo force të re politike.

Në fund, Shkurti vlerësoi punën e grupit nismëtar, duke thënë se ka arritur ta mbajë protestën gjallë për 42 ditë, pavarësisht presioneve dhe diversitetit të pjesëmarrësve.