Ditën e sotme, rreshtave të protestuesve në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë u është bashkuar edhe këngëtari Franc Koroni. Në një prononcim, artisti ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për kauzën e qytetarëve, duke theksuar se Shqipëria ka hyrë në një fazë pa kthim ku kërkohet një përmbysje e modelit të vjetër politik.
Sipas Koronit, qëndresa disajavore në shesh është dëshmia më e pastër e zgjimit të ndërgjegjes qytetare përballë padrejtësive dhe mungesës së meritokracisë në vend.
“Të gjithë jemi në një mendje që Shqipëria ndodhet në një fazë ku duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si mendon e gjykon. Ka probleme, ka padrejtësi, nuk ka meritokraci dhe ka ardhur koha që kjo të ndryshojë.
Shqiptarët po dëshmojnë se duan një Shqipëri të re, ku skemat e politikës së vjetër nuk funksionojnë më. Ka ardhur koha për një ndryshim total të ndërgjegjes qytetare dhe kjo është dëshmuar përmes kësaj proteste, ku qytetarët vijnë përditë,” deklaroi këngëtari.
Më tej, ai vlerësoi forcën dhe vendosmërinë e popullit për të mos u dorëzuar përballë pushtetit, duke pranuar se ndonëse rruga drejt ndryshimit të madh është e gjatë, kthim pas nuk ka më.
“Shqiptarët janë zgjuar nga gjumi dhe duan të jetojnë në një Shqipëri të re. Rrugëtimi është i gjatë, por kemi treguar se jemi të fortë dhe do të jemi të fortë,” përfundoi Koroni.







