Ballina Aktualitet “Kryeministri luan kartën e provokimit me Kanye West”/ Gazeta prestigjioze “Le Temps”...

“Kryeministri luan kartën e provokimit me Kanye West”/ Gazeta prestigjioze “Le Temps” jehonë situatës në Shqipëri

99
0

Protestat e fuqishme dhe të qëndrueshme të qytetarëve shqiptarë kanë marrë një jehonë të madhe ndërkombëtare, duke u pasqyruar gjerësisht në mediat prestigjioze europiane. Së fundmi, e përditshmja e njohur zvicerane në gjuhën frënge, “Le Temps”, i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në Shqipëri.

Artikulli vendos në qendër të vëmendjes përplasjen e madhe mes planeve të qeverisë së Edi Ramës për investime strategjike dhe rezistencës popullore që po rritet çdo ditë e më shumë në rrugët e Tiranës.

Sipas analizës së medias prestigjioze frëngjishtfolëse, kryeministri Edi Rama po zgjedh një strategji tensionimi me publikun. “Edi Rama po luan kartën e provokimit. I sfiduar nga një valë protestash që ka qenë në rritje për gjashtë javë, kryeministri shqiptar mezi priste ta priste personalisht reperin amerikan shumë kontrovers Kanye West,” shkruan Le Temps.

Gazeta nënvizon faktin se West është një artist të cilit i është ndaluar të performojë në shumicën e vendeve evropiane për shkak të provokimeve të tij antisemite dhe islamofobe, si dhe admirimit të tij të deklaruar për Adolf Hitlerin.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese, sipas artikullit, është skandali financiar që u zbulua vetëm pak ditë para koncertit. Ndonëse fillimisht eventi u prezantua si një “koncert privat” që nuk do t’u kushtonte asgjë taksapaguesve, doli në dritë se qeveria kishte shpenzuar plot 4.2 milionë euro për ta bërë të mundur atë.

Kjo shkaktoi një valë të madhe zemërimi midis artistëve shqiptarë, të cilët demonstruan para ministrisë së tyre, duke denoncuar faktin se kultura përfaqëson vetëm 0.1% të buxhetit publik. Gazeta pasqyron edhe reagimin e Ministrit Blendi Gonxhja, i cili i hodhi poshtë këto kritika legjitime të artistëve duke i quajtur “donkishoteske”.

Përtej skandalit të koncertit, “Le Temps” shpjegon se revolta qytetare që ka shpërthyer lidhet direkt me ndryshimet e fundit ligjore të ndërmarra nga qeveria për Zonat e Mbrojtura.

Ajo që nisi si një reagim mjedisor për të shpëtuar trashëgiminë natyrore nga ndërtimet e betonizimi, tashmë është pagëzuar si “Revolucioni i Flamangëve Rozë” dhe është shndërruar në një lëvizje masive politike e sociale.

Media zvicerane vëren se tensioni ka arritur kulmin pasi qytetarët nuk po protestojnë më vetëm për mjedisin apo shpërdorimin e fondeve me koncerte, por po kërkojnë transparencë radikale, llogaridhënie dhe dorëheqjen e vetë kryeministrit Edi Rama.