Një defekt në rampën e brendshme të një trageti që ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne në Portin e Durrësit, i nisur nga Bari në Itali, po mban peng qindra udhëtarë të cilët nuk po mundet të marrin automjetet.
Trageti ka mbërritur në orarin e përcaktuar në Durrës, por për shkak të një defekti teknik që ka rampa e brendshme, mjetet nuk kanë sesi të dalin në sheshin e portit.
Udhëtarët që kanë marrë makinat personale dhe shoferët e kamionëve e autobusëve, kanë bërë imbarkim pa problem në Itali, ndërsa në Durrës janë në pritje prej orës 08:00 të mëngjesit.
Një ekip teknikësh po përpiqen të rregullojnë rampën, në mënyrë që mjetet të dalin nga trageti dhe të ndjekin procedurat e tjera në port, deri në daljen prej tij, por deri në orën 15:00 nuk ka asnjë rezultat.
Pasagjerët dhe drejtuesit e mjeteve të tjera që presin prej shtatë orësh, nuk i kanë fshehur pakënaqësitë dhe zhgënjimin me situatën, ndëra autoritetet i kanë njoftuar se pritja do të zgjasë edhe për disa orë të tjera.
Kjo, sepse në Durrës pritet të vijë një grup teknikësh nga qyteti i Napolit, në Itali, i specializuar për situata të tilla. Deri atëherë, asnjë makinë personale, kamion apo autobus s’mund të dalë nga trageti.







