Ballina Aktualitet Dyshimet për abuzim 3 milionë euro, shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit

Dyshimet për abuzim 3 milionë euro, shkarkohet drejtoresha e Postës së Durrësit

112
0

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës,Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar penalisht, pas një kontrolli të kryer në këtë filial, ku dyshohet se janë konstatuar shkelje në administrimin e fondeve.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Posta Shqiptare, e cila ka njoftuar se gjatë verifikimeve në filialin e Durrësit janë evidentuar parregullsi dhe shkelje që lidhen me administrimin e fondeve të shërbimeve të pagesave.

Pas konstatimeve, drejtuesit e Postës Shqiptare kanë marrë masa administrative ndaj personave përgjegjës dhe kanë referuar çështjen për ndjekje penale pranë organit të akuzës, përmes një kallëzimi penal. Sipas burimeve, dyshimet paraprake lidhen me një abuzim financiar që mund të arrijë rreth 3 milionë euro, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë dhe masën e dëmit.

Ndërkohë, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës në filialin e Durrësit, Valbona Hoti Duni, menjëherë pas nisjes së verifikimeve.

“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës. Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.”- thuhet në njoftim.