Ballina Aktualitet Pa kemp dhe me djalin e sëmurë, familja Gjaci në Durrës kërkon...

Pa kemp dhe me djalin e sëmurë, familja Gjaci në Durrës kërkon ndihmë: Shteti na ka harruar

89
0

Varfëria dhe mungesa e mbështetjes sociale po rëndojnë gjithnjë e më shumë jetën e familjeve në vështirësi. Një prej tyre është familja Gjaci, e cila jeton në lagjen Spitallë të Durrësit dhe përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha ekonomike dhe shëndetësore.

Shqetësimi më i madh për zonjën Gjaci është djali i saj 3 vjeç e gjysmë, i cili vuan nga tre diagnoza të rënda: epilepsi në formë të rëndë, azmë bronkiale dhe kardiomiopati, një problem serioz kardiak.

Ajo tregon se trajtimi i fëmijës kërkon medikamente dhe kontrolle të vazhdueshme, të cilat familja e ka të pamundur t’i përballojë me të ardhurat që ka.

“Kur mbarojnë ilaçet e djalit, me një rrogë nuk ia dal dot. Situata është e papërballueshme. E kam të pamundur të blej medikamentet dhe të bëj kontrollet. E kam me vrimë në zemër, nuk kam mundësi ta çoj në spitale”, shprehet nëna e 3-vjeçarit.

Familja Gjaci përbëhet nga katër anëtarë dhe aktualisht vetëm bashkëshorti punon, pasi gjendja shëndetësore e djalit nuk i lejon nënës të ketë një punë të qëndrueshme.

“Nuk e punoj dot, sepse sapo filloj punë më duhet të marr leje vazhdimisht për shkak të djalit dhe nuk më mbajnë në punë”, tregon ajo.

Vështirësitë e familjes janë shtuar edhe nga ndërprerja e ndihmës ekonomike. Zonja Gjaci tregon se që prej vitit 2015 i është ndërprerë pagesa e KEMP-it, pasi kishte kërkuar azil në Francë dhe prej asaj kohe nuk ka mundur ta përfitojë sërish.

Në kushte të vështira ekonomike dhe me një fëmijë që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor, familja Gjaci kërkon ndihmë dhe mbështetje për të përballuar trajtimin e djalit të vogël./syri