Që 46 ditë protesta janë një event politik i paprecedent në 35 vite tranzicion, për këtë të gjithë bien dakord. Ata që i organizojnë, ata që i mbështesin e po ashtu edhe ata që i kundërshtojnë apo i stigmatizojnë. Ato të viteve 1990-1991 zgjatën veç disa ditë derisa arritën qëllimin e nisjes së epokës së pluralizmit dhe zgjedhjet e parakohshme të 31 dhe 22 marsit. Ndërsa protestat e ’97 zgjatën pak javë deri në formimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar. E pavarësisht nga situatat e ndryshme, thelbi ka qenë i njëjtë. Përplasje e qytetarëve me qeverisjet diktatoriale dhe gjysmë autokratike për liri. E në të dyja rastet fituan protestat e humbën qeveritë. Pse? Sepse kërkesa për liri është fisnike, legjitime dhe e drejtë për një shoqëri e popull evropian. Dhe këtë kërkesë të vazhdueshme, elita politike aktuale (për hir të së vërtetës mbi 30 vjeçare) po e sfidon që nga 2008 me përqendrim pushteti, forcim të qeverisë, kontroll mbi tregun, korrupsion galopant dhe më keq akoma kriminalizim të ekonomisë.
Të gjitha të marra së bashku u kanë vënë përballë njerëzve të ndershëm të këtij vendi një monstër që asfikson lirinë individuale politike e ekonomike. A akoma më tej u kanë hequr njerëzve qeverisjen nga duart që nga pushteti vendor e deri te institucionet e pavarura. Por ndërkohë i kanë lënë qytetarët dhe pa opozitë, i vetmi mjet politik që shoqëria ka për të mbajtur në këmbë vetërregullimin demokratik.
Shqipëria e 18 viteve të fundit ka rrëshqitur në mënyrë të pandalshme drejt një monarkie pa mbret e një feudalizmi pa latifondistë. Apo më keq drejt një “Far West-i” pa cowboy e sherifë. Shkurt një sistem padrejtësish të shtrira horizontalisht dhe vertikalisht në të gjithë hapësirën publike. Hapësirë që protestuesit po kërkojnë ta marrin sërish nga sheshet dhe rrugët për sa kohë janë konsumuar tërë mjetet institucionale dhe politike. Në çdo doktrinë demokratike, kjo mbetet e vetmja mënyrë e shoqërisë për të qenë më e drejtë, e balancuar dhe demokratike. Kjo ka qenë as më shumë e as më pak aspiratë epokale e revolucionit paqësor të 1990 dhe megjithë koston e lartë, kërkesa për rikthim te të njëjtat parime në 1997.
E thënë ndryshe nuk ka asgjë të re në këtë që po ndodh në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ka ndryshuar forma por jo përmbajtja. E vetmja gjë frustruese është pse shqiptarët përfunduan në sheshe 3 herë brenda 36 viteve! Dhe kjo e ka një shpjegim. Shoqëria shqiptare po kërkon të kapë kohën e humbur të 2 shekujve të fundit në veçse 36 vite. Koha shqiptare është “zip-uar”.
Por nëse sheshet janë mbushur për arsye më se legjitime të sipërpërmendura, elita reziston duke përdorur lloj-lloj teknikash të dekurajimit të protestave. Herë me dezinformacion qeveritar agjenturash imagjinare, herë me opozitën që nga dakordësia për investimet e huaja e deri te tentativa e dështuar për t’u infiltruar në protestë, apo dhe me përdorimin e forcës, për të mos folur për mercenarët mediatikë që në këtë vend nuk kanë munguar kurrë. Nuk kanë lënë gjë pa tentuar për t’i zhbërë protestat.
E sërish bulevardi mbushet çdo ditë me pikun e marshimit, e sa herë protesta shndërrohet në kombëtare, pjesëmarrja shtohet në mënyrë çoroditëse për oligarkinë dhe shpurën e vetë. Në këtë lojë nervash mes protestuesve dhe elitës, dukshëm nervozizmi është bërë pjesë e pandarë e qeverisë. Për një arsye: janë në anën e gabuar të historisë. E nuk ka si të jetë ndryshe kur e vetmja gjë që i mban bashkë është pushteti, që në vetvete nuk është qëllim as i lartë e as legjitim. Pushteti është instinkt i rëndomtë për sundim mbi të tjerët. E konkretisht mbi shumicën e shoqërisë. Pushteti si qëllim në vetvete i vlen vetëm një pakice që e ushtron dhe një pakice më të madhe rreth saj që i shërben. Por shumicë nuk janë e s’mund të jenë.
E për këtë arsye siç këshillon Machiavelli: “Princi nëse duhet të zgjedhë mes politikanëve dhe popullit, duhet të zgjedhë popullin pasi është më i shumtë dhe nuk xhelozon Princin”. Rama ka bërë të kundërtën. Ka zgjedhur Berishën dhe ortakët e tij që i shërbejnë në abuzim, duke sfiduar popullin që mbart forcën prej numrave. Pra përveçse moralisht është në pozitë të gabuar, Rama ka bërë edhe gabimin e dytë më të madh. Atë pragmatik.
Ndaj kjo përplasje mes protestës dhe kupolës është e destinuar të ketë një fitues. Protestuesit, pasi kanë të drejtë dhe sepse janë edhe shumicë. Mjafton të shohësh komentet negative në faqet e rrjeteve sociale të Ramës dhe të tijve në njërën anë dhe pjesëmarrjen spektakolare në protestat kombëtare në anën tjetër, për të kuptuar se kjo histori ka vetëm një kuptim. Atë të fitores së qytetarëve. Qytetarët në shesh nuk përdorin lobime e as paguajnë miliona euro për të ndaluar drejtësinë të veprojë.
Ama dy armë fituese të vetme i kanë. Të drejtën dhe forcën. E para është e vërtetuar, e dyta do varet nga elita. Nëse do e kërkojnë, do ta gjejnë. Siç e thotë folklori i Labërisë, “mos ia lidh macës sytë dhe ta godasësh me shkop, se do të të nxjerrë sytë”!







