Ballina Bota ​“Buburrecat” e Gjeneratës Z në Indi e çuan protestën në rrugë, tani...

​“Buburrecat” e Gjeneratës Z në Indi e çuan protestën në rrugë, tani bashkohen rreth një greve

52
0

Protesta e studentëve në Indi, e cila mori hov pas pretendimeve se testet pranuese për universitetet, të cilat janë shumë konkurruese në Indi, ishin publikuar ose kishin rrjedhur në rrjetet sociale, është zgjeruar në një lëvizje për reforma dhe llogaridhënie institucionale.

Aktivisti Sonam Wangchuk, 59 vjeç, është në javën e tretë të grevës së urisë në kampin e protestës në Nju Delhi. Ai thotë se greva është një formë paqësore për t’ia dërguar kërkesat qeverisë, duke shmangur dhunën.

Lëvizja nisi në muajin maj, pasi kryetari i Gjykatës Supreme të Indisë, Surya Kant, krahasoi disa të rinj të papunë me “buburreca” gjatë një seance për një çështje tjetër. Mbështetësit e përqafuan këtë fyerje si simbol të qëndresës, duke e kthyer atë në një fushatë politike satirike që brenda pak ditësh grumbulloi më shumë se 21 milionë ndjekës në Instagram.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Dharmendra Pradhan, reforma në sistemin e provimeve dhe kompensim për familjet e studentëve që kanë bërë vetëvrasje pas problemeve me provimet.

Qeveria e kryeministrit Narendra Modi nuk ka pranuar të negociojë me protestuesit, ndërsa organizatorët thonë se heshtja e saj ka rritur vendosmërinë e tyre. Ata kanë paralajmëruar një marsh drejt Parlamentit për të shtuar presionin, raporton Associated Press, përcjell KosovaPress.

Megjithëse lëvizja ka miliona mbështetës online, në kampin e protestës në Nju Delhi marrin pjesë zakonisht disa qindra persona. Protestuesit thonë se do të vazhdojnë aksionet derisa qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre.