Nga Luçiano Boçi
Kur një ministre e qeverisë serbe deklaron se, po të ishte në vend të Slobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, atëherë nuk kemi të bëjmë me një gafë gjuhësore.
Kemi të bëjmë me rehabilitimin publik të një ideje që Europa e pas Luftës së Dytë Botërore është betuar të mos e pranojë më.
Reagimet ishin të menjëhershme.
Kosova e shpalli Snezhana Paunoviç persona non grata.
Bashkimi Europian e dënoi deklaratën si të papajtueshme me vlerat europiane dhe me frymën e pajtimit.
Madje edhe figura të njohura europiane kërkuan që Beogradi të mos e kalonte në heshtje këtë skandal.
Në gjithë këtë kor reagues, mungoi një zë. Zëri i Kryeministrit të Shqipërisë.
Historia shqiptaro-serbe nuk është një histori keqkuptimesh diplomatike. Është një histori e mbushur me ideologji që, përpara se të prodhonin krime, prodhonin fjalë.
Përpara pushkëve erdhën memorandumet.
Dëbimet ndodhën pas teorive dëbuese.
Varret masive u hapën pasi “intelektualët” serbë shpjegonin pse shqiptarët ishin pengesë.
Vladan Xhorxheviç i paraqiste shqiptarët si qenie primitive. Jovan Cvijiç i shpallte “fisnet më barbare të Europës”.
Vaso Çubriloviç nuk u mjaftua me teori. Ai hartoi planin për ta bërë jetën e shqiptarëve të padurueshme, derisa ata të largoheshin nga trojet e tyre.
Dobrica Qosiç dhe më pas Vojislav Sheshelj e mbajtën gjallë të njëjtën frymë, derisa ajo u shndërrua në politikë shtetërore gjatë regjimit të Milosheviçit.
Pra deklarata e Paunoviç nuk është një ratësi apo që lindi në boshllëk.
Ajo është fjalia e fundit e një libri të vjetër serb me faqe urrejtje etnike.
Prandaj heshtja në këtë nuk është asesi neutrale. Heshtja është mbajtje ane. Dhe Rama e ka mbajtur anën me heshtjen e tij.
Shqipëria nuk ka luksin ta trajtojë këtë deklaratë si incident, sepse ajo prek kujtesën historike të shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar.
Aq më tepër kur vetë Bashkimi Europian e konsideron të papranueshme çdo retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.
Dikush mund të thotë se reagoi Ministria e Jashtme. Është e vërtetë.
Por ka momente kur pesha e fjalës nuk matet me institucionin që e shqipton, por me përgjegjësinë politike të atij që hesht.
Kryeministri i Shqipërisë nuk është një zyrtar i zakonshëm në Ballkan. Fjala e tij ka rol thelbësor, sidomos kur bëhet fjalë për Kosovën.
Paradoksi është i dukshëm. Edi Rama reagon shpesh dhe me shpejtësi për çështje që variojnë nga debatet në rrjetet sociale deri te polemikat më të vogla politike e cic mice personale.
Por kur një ministre serbe shpreh publikisht se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, ai zgjedh heshtjen.
Një zgjedhje që, me kalimin e ditëve, po bëhet më e zhurmshme se çdo deklaratë.
Diplomacia kërkon maturi. Por maturia nuk është sinonim i heshtjes. Sidomos kur përballë nuk ke një gafë diplomatike, por një përpjekje për të relativizuar një nga kapitujt më të errët të historisë së Ballkanit.
Mos harroni!
Historia na mëson se krimet nuk fillojnë me armët. Fillojnë me fjalët. Dhe po aq shpesh, vazhdojnë falë heshtjes.
Edi Rama me heshtjen e tij përcaktoi anën e tij antikombëtare.







