Ministria e Mjedisit në Kosovë ka ndërprerë kontratat e punës për 20 zyrtarë serbë të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë munguar në vendin e punës.
Ministrja në detyrë, Fitore Pacolli njoftoi se zyrtarët ishin pjesë e organizatës “Mbrojtja Civile”.
“Sot është nxjerrë vendim për shkëputjen e kontratave të punës për 20 zyrtarë të MMPH-së nga komuniteti serb, të njohur edhe si pjesë e ish-“Mbrojtjes Civile”. Shkëputja e kontratave vjen si pasojë e mungesës së vazhdueshme të tyre në vendin e punës, si dhe në përputhje me rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit”, njoftoi ministrja në detyrë.
Zyra e Auditorit ka identifikuar që në Ministrinë e Mbrojtjes janë 61 punonjës dhe për ta janë realizuar pagesa në vlerë prej 469.885 euro, ndonëse nuk ka evidenca që të njëjtët kanë shkuar në punë. Pacolli ka shtuar po ashtu se në mesin e zyrtarëve të larguar ka të atillë të cilët janë punësuar në vitin 2016 e nuk kanë përmbushur detyrimet e marrëdhënies së punës.
“Nga evidencat zyrtare ka rezultuar se këta zyrtarë, të punësuar që nga 5 janari 2016 në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk kanë përmbushur detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, përfshirë mungesën e vazhdueshme në vendin e punës dhe mosrespektimin e detyrave të punës”, shton tutje ministrja në detyrë.
Punësimi i serbëve në institucionet e Kosovës, edhe pse një pjesë ishin pjesëtarë të Mbrojtjes Civile, u bë si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, në emër të integrimit.
“Mbrojtja Civile” që do të duhej të ishte shpërbërë atë kohë, në vitin 2023 u shpall organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës, pas sulmeve të njëpasnjëshme ndaj institucioneve vendore në fundvitin 2022.







