Policia e Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të publikuara nga Eparkia Rashkë-Prizren, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe që nuk pasqyrojnë realitetin e funksionimit të këtij institucioni.
Në një komunikatë për opinionin publik, Policia e Kosovës ka theksuar se nuk zhvillon asnjë politikë institucionale të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.
“Pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte, nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së Policisë së Kosovës dhe krijojnë një perceptim të rremë mbi mandatin, përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të institucionit”, thuhet në reagimin e PK-së.
Sipas Policisë, institucioni është kushtetues dhe profesional, i ndërtuar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në radhët e saj shërbejnë pjesëtarë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përfshirë komunitetin serb.
PK ka theksuar se çdo veprim policor ndërmerret vetëm mbi bazën e ligjit dhe përgjegjësisë individuale, ndërsa përbërja shumetnike, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, sipas saj, përjashtojnë çdo pretendim për veprim mbi baza etnike, fetare apo politike.
Mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe dhe ceremonive fetare
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për më shumë se një dekadë ka garantuar sigurinë e qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas PK-së, çdo vit hartohen plane operative të posaçme në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante.
Lidhur me ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, Policia ka deklaruar se ajo është zhvilluar pa ndërhyrje dhe pa pengesa nga ana e saj.
“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, thuhet në komunikatë.
PK ka sqaruar se vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore, bazuar në dëshmitë për secilin rast.
24 objekte fetare serbe sigurohen 24 orë nga Policia e Kosovës
Policia ka theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare është një nga përgjegjësitë kryesore të saj.
Pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-i, PK ka marrë përsipër sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare, duke themeluar Drejtorinë për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK).
Sipas të dhënave të Policisë, DSOTK përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ku mbi 16 për qind janë pjesëtarë të komunitetit serb, ndërsa drejtues i kësaj drejtorie është një major nga komuniteti serb.
Aktualisht, 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe sigurohen 24 orë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Statistikat e rasteve në objektet fetare
Policia ka publikuar edhe statistika për rastet e evidentuara në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 53 raste, prej të cilave 34 raste (64 për qind) kanë ndodhur në objekte myslimane, 16 raste (30 për qind) në objekte ortodokse dhe 3 raste (6 për qind) në objekte katolike.
Në vitin 2025 janë evidentuar 35 raste, ku 22 raste (63 për qind) kanë ndodhur në objekte myslimane, 10 raste (29 për qind) në objekte ortodokse dhe 3 raste (8 për qind) në objekte katolike.
Ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, prej tyre 27 raste (79 për qind) në objekte myslimane, 5 raste (15 për qind) në objekte ortodokse dhe 2 raste (6 për qind) në objekte katolike.
Sipas Policisë, shumica e rasteve kanë të bëjnë me motive pasurore, si vjedhje dhe vjedhje të rënda.
Rastet me motive ndëretnike në rënie
Policia e Kosovës ka deklaruar se rastet me motive të mundshme ndëretnike trajtohen me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke theksuar se ato kanë shënuar rënie ndër vite.
Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2023 janë evidentuar 31 raste të tilla, në vitin 2024 janë regjistruar 25 raste, ndërsa në vitin 2025 vetëm 5 raste.
Në fund të reagimit, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe ka ftuar qytetarët të vazhdojnë bashkëpunimin me institucionin për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend.







