Ballina Kosovë Konjufca letër Kaja Kallasit: BE të reagojë ndaj ministres serbe që justifikoi...

Konjufca letër Kaja Kallasit: BE të reagojë ndaj ministres serbe që justifikoi spastrimin etnik

53
0
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i është drejtuar me një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, lidhur me gjuhën nxitëse të ministres serbe, Snezhana Paunoviç.

Në postimin e tij në platformën X, Konjufca ka theksuar se deklarata e ministres Paunoviç, e cila u shpreh se në vend të Sllobodan Millosheviçit do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë në vitin 1998, nuk mund të kalohet si një gafë e thjeshtë.

Sipas Konjufcës, një reagim i fuqishëm nga ana e BE-së është i domosdoshëm për të rikonfirmuar angazhimin e unionit në parandalimin e krimeve mizore dhe mbrojtjen e vlerave demokratike në rajon.

“I kam shkruar Përfaqësueses së Lartë@kajakallas
lidhur me deklaratat e fundit të një ministri të qeverisë serbe që mbështet spastrimin etnik. Mbrojtja e vlerave evropiane kërkon një përgjigje të qartë dhe parimore sa herë që shfaqet retorikë që glorifikon krimet e luftës ose spastrimin etnik.”, shkruan Konjufca.