Ballina Kosovë A ka dhënë dorëheqje Bedri Hamza nga kreu i PDK-së? Partia del...

A ka dhënë dorëheqje Bedri Hamza nga kreu i PDK-së? Partia del me sqarim zyrtar

43
0

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me raportimet për dorëheqjen e Bedri Hamzës nga posti i kryetarit, duke sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për këtë çështje.

Nga Zyra për Informim e PDK-së kanë bërë të ditur se Hamza ka paralajmëruar publikisht largimin nga drejtimi i partisë, por vetëm në momentin kur të nisë procesi i zgjedhjeve të brendshme, transmeton “Bota sot”.

“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të PDK-së për median.

Sipas kësaj partie, aktualisht vëmendja është përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit.

“Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, thuhet më tej në përgjigje.

Ndërkohë, në disa media janë publikuar raportime se Bedri Hamza tashmë e ka njoftuar kryesinë e PDK-së për vendimin e tij për dorëheqje, ndërsa zyrtarizimi mund të ndodhë gjatë ditëve në vijim.

Sipas këtyre raportimeve, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pritet të marrë përkohësisht drejtimin e partisë.

Ajo, së bashku me kryesinë, pritet të udhëheqë përgatitjet për zgjedhjet e brendshme dhe Kuvendin zgjedhor të PDK-së, i cili, sipas raportimeve, mund të mbahet vitin e ardhshëm.

Megjithatë, këto zhvillime mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht nga PDK-ja.