Nga Klevis Elezi*
Ka një moment në historinë e çdo lëvizjeje qytetare kur rreziku më i madh nuk vjen më nga pushteti, por nga ata që fillojnë të besojnë se protesta është prona e tyre.
Janë “çerrat e protestës”. Ata nuk mbajnë pankarta për qytetarët; mbajnë vizionin e tyre për karriget që ende nuk ekzistojnë. Nuk shqetësohen se si të zgjerojnë revoltën, por se kush do të mbajë mikrofonin. Nuk flasin për bashkim, por për përfaqësim të vetëshpallur.
Një protestë lind nga zemërimi i qytetarëve, jo nga vendime të marra pas dyerve të mbyllura. Ajo nuk ka pronar, nuk privatizohet dhe nuk trashëgohet. Kush mendon se mund ta kthejë në organizatën e tij personale, gabon rëndë. Protesta është e qytetarëve dhe vetëm qytetarëve.
Është ironike të shohësh se si disa njerëz, para se të fitohet beteja me pushtetin, kanë nisur betejën për ndarjen e “plaçkës” politike. Ende nuk është rrëzuar sistemi që kundërshtohet, por ata tashmë sillen sikur po ndajnë postet e një qeverie imagjinare. Kjo nuk është vizion. Është vanitet.
Historia shqiptare na ka mësuar se çdo lëvizje dobësohet kur egoja zë vendin e idealit. Kur individi vendos veten mbi kauzën, ai pushon së qeni aktivist dhe fillon të sillet si administrator i një pronësie që nuk i përket.
Po aq shqetësues është fakti që në vend të një debati të hapur e gjithëpërfshirës, janë ngritur pikëpyetje publike mbi mënyrën e organizimit dhe përfaqësimit të disa nismave të dala nga protesta. Këto dyshime nuk duhen parë si sulm ndaj protestës, por si një kujtesë se transparenca është oksigjeni i çdo lëvizjeje qytetare.
Kritika ndaj “çerrave të protestës” nuk është kritikë ndaj protestës. Përkundrazi. Është mbrojtje e saj. Sepse protesta nuk duhet të bëhet peng i ambicieve personale, as i protagonizmit, as i dëshirës për t’u vetëshpallur zëri i vetëm i qytetarëve.
Sot nuk kemi nevojë për administratorë të revoltës. Kemi nevojë për njerëz që dinë të dëgjojnë, jo vetëm të flasin; që dinë të bashkojnë, jo të përjashtojnë; që e kuptojnë se një protestë nuk matet me numrin e ndjekësve në rrjetet sociale apo me kohën para kamerës, por me besimin që qytetarët vazhdojnë t’i japin.
Ata që duan ta privatizojnë protestën do të mbeten një episod kalimtar. Kauzat e mëdha nuk ndërtohen mbi ego të vogla. Dhe qytetarët gjithmonë dinë të dallojnë ndryshimin mes atij që lufton për idealin dhe atij që lufton për veten.
Protesta është e popullit. Kush përpiqet ta tjetërsojë, ta monopolizojë apo ta përdorë si trampolinë personale, nuk po i shërben kauzës; po i shërben vetëm pasqyrës së vet./bulevardnews







