Ballina Opinion Dumbabistët e rinj

Dumbabistët e rinj

93
0

Nga Thoma Gellçi

“Shoku Enver, marrtë nga ditët e mia!”, thoshte shqiptari jo më larg se 40 vjet më parë. Shoku Enver nuk i mori vërtet ato ditë, por shqiptarëve u mori shumë vite, shumë liri dhe të drejtën për të menduar ndryshe. Megjithatë, njeriu që e thoshte këtë fjali ndihej krenar. Ishte gati t’i falte udhëheqësit edhe jetën, megjithëse udhëheqësi nuk pyeste shumë për jetën e njeriut.

Kanë kaluar katër dekada. Sistemi komunist është rrëzuar, monumentet janë hequr dhe librat e historisë janë ndryshuar. Vetëm dëshira për t’i dhuruar ditët udhëheqësit vazhdon të jetë njëlloj si më parë.

Dikush shkruante sot në rrjetet sociale se uron që Edi Rama të marrë ditë nga ditët e jetës së tij. Një tjetër deklaronte se e do Sali Berishën më shumë se babanë e vet. Njëri i fal kryeministrit jetëgjatësinë, tjetri i jep kryetarit të opozitës vendin e babait.

Këto deklarata mund të duken qesharake, por tregojnë një problem serioz për një pjesë të shoqërisë shqiptare. Pas 35 vjetësh pluralizëm, një pjesë e qytetarëve vazhdojnë të mos e shohin politikanin si punonjës të përkohshëm të shtetit. E shohin si pronar të partisë, mbrojtës të familjes, shpëtimtar të vendit dhe, kur entuziazmi rritet, edhe si pjesëtarin më të rëndësishëm të shtëpisë.

Në demokraci, qytetari zgjedh një politikan që të administrojë vendin për një periudhë të caktuar. Ai e kontrollon, e kritikon dhe e largon kur dështon. Në modelin shqiptar, militanti zgjedh kryetarin dhe pastaj kryetari zgjedh çfarë duhet të mendojë militanti.

Kur kryetari ndryshon qëndrim, ndryshon edhe mbështetësi. Kur kryetari sulmon dikë, ai e sulmon pa humbur kohë. Kur kryetari pajtohet me të njëjtin person, militanti pajtohet po aq shpejt. Nuk ka nevojë për shpjegime. Kur kryetari thotë se protesta është financuar nga Irani, militanti nuk kërkon të dijë faktet; kur kryetari ndërron mendje dhe thotë se protestën e kanë organizuar fqinjët xhelozë për përparimin, militanti e plotëson mendimin me argumente të gjetura në internet. Kur kryetari thotë se ditët e para, ato ditët që financonte Irani, protesta ishte e bukur, por tani nuk është më, militanti nuk ka asnjë dyshim për këtë. Kryetari ka menduar për të gjitha.

Në vitin 1914, përkrahësit e rikthimit të sundimit osman thërrisnin “Duam Babën”. Me “Babë” ata quanin sulltanin. Për këtë arsye u quajtën dumbabistë. Termi i përket një periudhe të caktuar historike, por mendësia që ai përshkruan nuk ka mbetur në vitin 1914.

Dumbabisti modern është i lidhur ngushtë shpirtërisht me sulltanin e partisë, megjithëse ky i fundit as e di ekzistencën e tij. Dumbabisti modern mund të pranojë se shteti është i korruptuar, ekonomia ka probleme, të rinjtë largohen dhe institucionet nuk funksionojnë. Por sapo përmendet përgjegjësia e udhëheqësit të tij, analiza përfundon. Aty fillon dashuria.

Protesta e Tiranës ka prishur qetësinë e “Babës” dhe prandaj në skenë kanë dalë me shumicë dumbabistët. Ata nuk shohin që protesta drejtohet kundër modelit politik të ndërtuar nga dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, që identifikohen prej vitesh me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Njëri kontrollon pushtetin, tjetri kontrollon pjesën më të madhe të opozitës. Të dy vazhdojnë ta trajtojnë politikën sikur Shqipëria nuk ka prodhuar njerëz të tjerë gjatë këtyre dekadave.

Dumbabistët janë të shqetësuar, por edhe pak të hutuar. Protesta sulmon njëkohësisht pushtetin dhe opozitën tradicionale. Ajo nuk kërkon vetëm largimin e Ramës që të rikthehet Berisha. Nuk kërkon as largimin e Berishës që Rama të vazhdojë i qetë. Ajo kundërshton një sistem që i ka mbajtur shqiptarët të lidhur me dy emra, dy parti dhe të njëjtat marrëveshje politike.

Dumbabistët nuk e pranojnë këtë logjikë. Dumbabisti socialist është dakord që Berisha duhet të largohet, por vetëm me kusht që Rama të qëndrojë sa më gjatë. Dumbabisti demokrat është dakord që Rama duhet të largohet, por vetëm nëse Berisha kthehet në pushtet. Për ta, ndryshimi i sistemit është një ide e mirë, me kusht që kjo të mos prekë sulltanin e tyre.

Kjo sjellje nuk është vetëm rezultat i fanatizmit. Ajo është prodhuar edhe nga mënyra se si partitë kanë kontrolluar jetën ekonomike dhe shoqërore. Për shumë njerëz, partia nuk është vetëm bindje politike. Është vendi i punës, tenderi, leja, emërimi, ngritja në detyrë ose mbrojtja nga ligji.

Kur buka varet nga kryetari, mendimi i lirë bëhet luks. Kur puna varet nga partia, qytetari e kupton se dashuria politike është më e sigurt se kritika. Kështu është ndërtuar kulti i individit në pluralizmin shqiptar. Partitë kanë statute, kryesi, këshilla dhe kongrese. Kanë aq shumë struktura sa mund të duket se vendimet merren nga qindra njerëz. Në fund vendos njëri. Të tjerët votojnë për të provuar se janë dakord.

Në këtë sistem, deputeti nuk i jep llogari qytetarit, por kryetarit. Ministri nuk ka nevojë të jetë i suksesshëm; duhet të jetë besnik. Militanti nuk ka nevojë të kuptojë vendimin; duhet ta mbrojë. Analisti nuk ka nevojë të analizojë; duhet të gjejë arsyen pse kryetari ka gjithmonë të drejtë.

Protesta e të rinjve e kundërshton këtë model. Ajo kërkon një sistem ku politikanët të jenë të zëvendësueshëm, partitë të kenë demokraci të brendshme dhe qytetarët të mos trajtohen si tifozë të përjetshëm. Kjo kërkesë është e rrezikshme për ata që kanë ndërtuar karrierën dhe mirëqenien mbi bindjen ndaj “Babës” dhe është e papranueshme nga dumbabistët.

Prandaj ndaj protestës janë ngritur njerëz të pushtetit, përfitues të opozitës, propagandistë dhe fanatikë të të dyja palëve. Disa e sulmojnë sepse rrezikojnë interesat. Disa sepse nuk e kuptojnë. Disa sepse nuk mund të imagjinojnë Shqipërinë pa udhëheqësin që kanë adhuruar për vite.

Dumbabistët e vitit 1914 kërkonin “Babën”. Dumbabistët e diktaturës i dhuronin ditët shokut Enver. Dumbabistët e sotëm, të ndarë në dy grupe, debatojnë se cili udhëheqës meriton më shumë dashuri, më shumë jetë dhe më pak përgjegjësi. Ndërsa protesta përpiqet t’i çlirojë dhe ata me mesazhin: Ditët e jetës mbajini për vete. Politikanëve mjafton t’u jepni një mandat. Kur nuk e meritojnë, merruani edhe atë!